Sot ishte planifikuar të zhvillohej ndeshja e javës së dytë mes FC Shkupit dhe Sileksit. Mirëpo, për shkak të situatës së krijuar te klubi shqiptar nga Çairi, takimi është regjistruar me rezultat zyrtar 0-3 në favor të Sileksit, pasi Shkupi nuk arriti të sigurojë stadium ku do të luhej ndeshja, njofton Telegrafi.
Dihet tashmë se stadiumi në Çair nuk i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Parë, kryesisht për shkak të implementimit të sistemit VAR. Pasi drejtuesit e Shkupit nuk gjetën zgjidhje për të luajtur duelin me Sileksin, Federata e Futbollit të Maqedonisë e regjistroi ndeshjen me rezultatin 0-3.
Fillimisht u tha se Shkupi do të luante në Kumanovë, më pas në Strumicë, por asnjë nga këto dy stadiume nuk mori dritën jeshile.
Kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek tifozët e ish-kampionit, ndërsa klubi përmes një njoftimi publikoi detajet e asaj që ka ndodhur ditëve të fundit. Sipas tyre, Shkupi është dëmtuar dhe drejtësinë do ta kërkojë në gjykatë.
“Të nderuar tifozë, së pari, duam t’ju kërkojmë ndjesë të sinqertë të gjithë tifozëve tanë për vështirësitë e krijuara. Dëshirojmë ta shpjegojmë situatën në mënyrë të qartë:
- Ne kemi arritur marrëveshje me pronarët e stadiumit në Strumicë për të zhvilluar ndeshjen atje dhe kemi marrë miratimin e tyre me shkrim (mund ta shihni në fotografinë e bashkangjitur).
- Menjëherë pas kësaj, kemi njoftuar Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), dhe ndeshja është regjistruar dhe konfirmuar zyrtarisht në sistem.
- Fatkeqësisht, në momentin e fundit, pronarët e stadiumit e kanë tërhequr miratimin e dhënë, duke krijuar një problem të panevojshëm për klubin tonë.
Për këtë arsye, FC Shkupi do ta çojë çështjen në gjykatë dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore.
Sa i përket stadiumit tonë, punimet për instalimin e sistemit VAR tashmë kanë filluar. Ndeshjen e ardhshme në shtëpi e planifikojmë ta zhvillojmë në stadiumin tonë, përpara jush – tifozëve tanë të dashur.
Gjatë këtij procesi, kemi shpresuar që klubet në Maqedoni do të tregonin solidaritet dhe mirëkuptim, duke na lejuar të zhvillonim të paktën një ndeshje “në shtëpi” në stadiumin e tyre. Për fat të keq, nuk pamë një mbështetje të tillë; përkundrazi, rruga jonë u bë edhe më e vështirë.
Së fundi, kemi një thirrje për të gjitha partitë politike: Ju lutemi, mos e përdorni futbollin për fushatat tuaja politike dhe mos e pengoni sportin tonë. Futbolli u përket tifozëve, lojtarëve dhe klubeve – jo politikës”, thuhet në komunikatën e presdientit të Shkupit, Konyali
Në deklaratën e shpërndarë në faqen zyrtare të Facebook-ut, presidenti i klubit Yasin Konyali theksoi se tashmë kanë nisur punimet për rregullimin e kushteve që mundësojnë instalimin e sistemit VAR, me qëllim që ndeshjet e ardhshme t’i zhvillojnë në shtëpinë e tyre, në stadiumin e Çairit.