Gjermania është finalistja e parë e Eurobasket 2025.
Përfaqësuesja gjermane mposhti sot Finlandën me rezultat 98-86, duke siguruar kështu një tjetër paraqitje të madhe në skenën evropiane.
Finlanda, megjithatë, u largua me kokën lart nga turneu, pasi shkroi historinë duke arritur për herë të parë në gjysmëfinalen e një Eurobasketi. Për basketbollistin me prejardhje nga Kosova, Edon Maxhuni, ky turne ishte veçanërisht i paharrueshëm. Sot ai kontribuoi me 9 pikë, 3 asistime dhe 1 kërcim, duke qenë pjesë e këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm.
Në përballjen e sotme, për Finlandën u dalluan Olivier Nkamhoua me 21 pikë dhe Lauri Markkanen me 16, ndërsa te Gjermania shkëlqyen dyshja kryesore: Dennis Schröder me 26 pikë dhe Franz Wagner me 22, duke udhëhequr ekipin drejt fitores së madhe.
Gjermania tani pret kundërshtarin e finales, i cili do të përcaktohet nga ndeshja mes Greqisë dhe Turqisë.
Një duel i madh pritet në finalen e së dielës, ku gjermanët do të synojnë trofeun kontinental./AsistiOnline.com/