Një rast serioz i kanosjes ndaj një mjekeje është raportuar në Qendrën Emergjente në Lipjan, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me vrasje një doktoreshë pasi nuk e kishte gjetur në vendin e punës, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informatave të siguruara, i dyshuari kishte shkuar në qendrën emergjente duke kërkuar viktimën, një mjeke që punon aty ( emër i njohur për Sinjalin) mirëpo në atë moment ajo nuk kishte qenë në detyrë.
Situata më pas ka eskaluar, ku sipas dëshmisë së një mjeku tjetër që ndodhej në Emergjencë, i dyshuari kishte shpërthyer në kërcënime serioze, duke deklaruar para stafit se “posa ta takoj, do ta vras”.
Sinjali mëson se dëshmitari, i cili punon si mjek në Emergjencën e Lipjanit, e ka raportuar menjëherë rastin në Polici rreth orës 19:00.
Më pas është intervistuar edhe viktima, mjekja e kërcënuar, e cila ka deklaruar se ndihet e shqetësuar dhe e frikësuar pas kërcënimeve të bëra ndaj saj.
Fillimisht Policia nuk kishte arritur ta sigurojë prezencën e të dyshuarit, ndërsa më vonë kishin nisur veprimet hetimore.
Megjithatë, mëngjesin e 25 majit, rreth orës 08:30, i dyshuari është paraqitur vetë në Stacionin Policor në Lipjan, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Kanosje ndaj personit zyrtar” dhe procedohet në procedurë të rregullt.

