Telenews

Në prag të Bajramit, qytetarët ankohen për çmimet e produkteve

Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se dita e parë e festës së Kurban Bajramit do të shënohet të mërkurën. Sipas njoftimit, manifestimi qendror do të mbahet në Xhaminë e Madhe, ku programi festiv nis në orën 04:25 me faljen e namazit të sabahut.

Ndërkohë, qytetarët kanë nisur përgatitjet për festë duke blerë artikujt e nevojshëm për tryezën festive, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës është aktivizuar në terren për monitorimin e lëvizjeve të çmimeve.

Në prag të festës së Kurban Bajramit, një numër i madh i qytetarëve kanë nisur përgatitjet për këtë festë.

Megjithatë, disa prej tyre shprehen se çmimet aktuale janë vështirë të përballueshme, duke theksuar se gjatë festave vërehet ngritje e çmimeve të produkteve.

“Katastrofë janë, shumë shtrenjtë. Hiç asgjë, si më herët sikurse sot”, thotë një qytetare.

Ndërkohë, disa qytetarë thonë se rritja e çmimeve ndikohet edhe nga fakti se shumë toka bujqësore kanë mbetur djerrinë.

“Te artikujt që i bleva vërejta që ka një ndryshim për të mirë. Por edhe në rast ngritje të çmimeve e meritojmë sepse ne nuk i punojmë tokat tona”, është shprehur një tjetër qytetar.

Ankesat e blerësve, tregtarët i arsyetojnë me rritjen e çmimeve të furnizimit nga vendet e tjera, por edhe me varësinë nga importi dhe mungesën e prodhimit vendor, çka sipas tyre ndikon drejtpërdrejt në çmimet në treg.

Nga ana tjetër, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës thekson se po e përgatit analizën e shportës bazike ushqimore, e cila përfshin 20 produkte esenciale, me qëllim të monitorimit të lëvizjeve të çmimeve dhe vlerësimit të ndikimit të tyre te konsumatorët.

Sipas tyre, nga monitorimi i deritanishëm është vërejtur se gjatë periudhave festive ndërmarrjet shpesh aplikojnë oferta promovuese dhe zbritje për produkte të ndryshme, me qëllim të tërheqjes së konsumatorëve dhe rritjes së konkurrueshmërisë në treg.

Autoriteti i Konkurrencës paralajmëroi edhe masa, përfshirë shqiptimin e gjobave deri në 10% të qarkullimit vjetor të ndërmarrjeve për të cilat konstatohet se kanë kryer shkelje./RTK

Të ngajshme

“Posa ta takoj, do ta vras” – kërcënohet mjekja e Emergjencës në Lipjan, rasti alarmon Policinë

KushtrimGuraj

Për katër muaj mbi 2.5 milionë vizitorë në Shqipëri, gati gjysma e tyre nga Kosova

KushtrimGuraj

Gërvalla: Sundimi i ligjit është shtylla që e mban shtetin në këmbë

Rrezarta Ramaj