Ish-përfaqësuesja e Izraelit në Festivalin Evropian të Këngës, Eurovision, Noa Kirel, ka reaguar pas refuzimit të gjithnjë e më shumë vendeve për të marrë pjesë në këtë ngjarje muzikore nëse Izraelit i lejohet pjesëmarrja, teksa vendi i akuzohet për gjenocid ndaj palestinezëve.
Kirel, e cila në vitin 2023 interpretoi këngën “Unicorn” dhe u rendit në vendin e tretë, në vendin e saj njihet si “Britney Spears izraelite”.
“Ishte një nga momentet më të bukura të karrierës sime dhe një përvojë e jashtëzakonshme”, tha ajo.
Këngëtarja theksoi se tashmë është “shumë ndryshe nga kur përfaqësoi Izraelin dy vjet më parë” dhe shpreson që vendi i saj të mos përjashtohet nga Eurovisioni.
Nuk ka të bëjë me politikën. Nuk ka qenë kurrë kështu dhe duhet të mbetet kështu dhe të përqendrohemi te muzika”, u shpreh ajo, duke shtuar se do të ishte e padrejtë që izraelitët të ndëshkoheshin për vendimet e qeverisë së tyre.
“Ata që votojnë e kuptojnë se politika nuk ka të bëjë fare me këtë garë. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë këtë, ta respektojnë dhe të shohin anën e mirë, jo të keqen”, tha më tej Kirel.