Fituesi pa dokumente të regjistrimit, ofertë e paligjshme – si u zbulua tenderi nga eksperti i OSHP në Komunën e Çlirimtarit
Një raport i hollësishëm i ekspertit shqyrtues të OSHP-së ka zbardhur një sërë shkeljesh të rënda në tenderin e Komunës së Shtimes për mirëmbajtjen e rrugëve me zhavorr. Procedura, e cila kap vlerën e 70 mijë eurove, është zhvilluar gjatë mandatit të kryetarit Qemajl Aliu, i njohur gjerësisht si “Çlirimtari”. Gjetjet e ekspertit hedhin dritë mbi një proces të vlerësimit që ka devijuar dukshëm nga standardet ligjore, duke rekomanduar anulimin e kontratës dhe kthimin e lëndës në rivlerësim, shkruan Demokracia.com.
Raporti nis me një vëzhgim të qartë dhe shqetësues. Ekspertja Majlinda Bedrolli, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin dhe shkresat e lëndës, ka konstatuar se gjatë analizimit të ofertës së operatorit të rekomanduar për kontratë “nuk janë gjetur dëshmitë e regjistrimit për pajisjet e kontestuara”, ndonëse Dosja e Tenderit i kërkon qartë këto dokumente si prova të detyrueshme teknike.
Kjo mungesë e dokumenteve bazike përbën rrënjën e shkeljes kryesore që e përmbys gjithë vlerësimin e bërë nga Komuna.
Tenderi është hapur me numrin e prokurimit 617-25-8164-2-2-1, për mirëmbajtje rrugësh me zhavorr, ndërsa si kriter dhënës është përdorur çmimi më i ulët.
Pas njoftimit për fitues, operatori ekonomik “Arsimi Company” ka dorëzuar ankesë në OSHP, duke pretenduar se Komuna kishte rekomanduar një ofertë që nuk i plotëson as kushtet më elementare teknike.
Eksperti i OSHP-së ka analizuar të gjitha pretendimet dhe, në shumicën dërrmuese të rasteve, ka dalë në përfundimin se ato janë të bazuara.
Një nga gjetjet më flagrante lidhet me makinerinë “Ngarkues me goma max 5 ton”, e cila është kërkuar në mënyrë eksplicite në dokumentacion. Por operatori i shpallur fitues ka ofruar vetëm faturën e blerjes dhe dokumentin doganor, ndërsa libreza e regjistrimit – dokumenti kryesor që vërteton identitetin dhe legalitetin e mjetit, mungon plotësisht. Në raport thuhet se fituesi “nuk ka dëshmuar me dokument të regjistrimit sipas kërkesës së vendosur në dosje të tenderit”, duke e bërë pretendimin e ankuesit plotësisht të bazuar.
E njëjta shkelje përsëritet edhe në rastin e grederit 14–16 ton, një mjet thelbësor për mirëmbajtjen e rrugëve. Në vend të librezës së regjistrimit, operatori i rekomanduar ka dorëzuar një kontratë për dhënie në shfrytëzim dhe disa dokumente të tjera përcjellëse. Por, siç vëren ekspertja, mungon krejtësisht dokumenti i regjistrimit, duke bërë që kërkesa teknike të mos përmbushet fare. Ekspertja thekson: “Nuk është dëshmuar me dokument të regjistrimit sipas kërkesës së vendosur në dosje të tenderit”, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të kritereve të kualifikimit.
Problemet nuk mbarojnë këtu. Për eskavatorin special me lugë rrafshuese në dy anët, një mjet i kërkuar për hapjen e kanaleve dhe punë të specializuara, operatori fitues sërish ka dështuar të ofrojë dokumentet e regjistrimit dhe dëshmitë teknike që vërtetojnë kapacitetin dhe specifikat e kërkuara. Edhe këtu ekspertja thotë se fituesi “nuk ka dëshmuar me dokument të regjistrimit”, duke nënvizuar se mungon çdo element që vërteton se mjeti i ofruar është i përshtatshëm për punën e shpallur.
Një tjetër shkelje shqetësuese lidhet me mënyrën se si Komuna e Shtimes ka trajtuar kërkesën për rishqyrtim. Ligji e obligon autoritetin kontraktues që të japë përgjigje të qarta dhe të arsyetuara për secilin pretendim të ankuesit. Por, siç bën me dije ekspertja, Komuna e Shtimes “nuk ka dhënë asnjë përgjigje sipas kërkesës së OE-së”, duke vepruar në kundërshtim me nenin 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili kërkon arsyetim të domosdoshëm për çdo vendim të refuzuar.
Ekspertja e OSHP-së e cilëson këtë mungesë përgjigjeje si shkelje të hapur të procedurës.
Ajo që e ngarkon më së shumti këtë rast është shkelja e nenit 59 të LPP-së, i cili përcakton se ofertat që nuk plotësojnë kriteret e dosjes së tenderit duhet të refuzohen menjëherë. Por Komuna e Shtimes, ndryshe nga kjo kërkesë ligjore, ka rekomanduar për kontratë një operator që nuk ka dorëzuar as dokumentet më bazike të kërkuara. Ekspertja shkruan se “AK nuk e ka bërë vlerësimin e ofertave sipas kërkesave të dosjes së tenderit”, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 59 të Ligjit për Prokurimin Publik.
Në përmbyllje të raportit, ekspertja e sugjeron Panelit Shqyrtues të OSHP-së që ankesa e operatorit të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës, dhe që lënda të kthehet në rivlerësim, në mënyrë që procesi të kryhet sipas ligjeve dhe kërkesave të dosjes së tenderit. Rekomandimi është i qartë dhe i prerë: vlerësimi i Komunës ka qenë i gabuar, i mangët dhe jashtë kërkesave ligjore.
Rasti i Shtimes i shtohet listës së procedurave të prokurimit që ngrejnë pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si menaxhohen fondet publike dhe si trajtohet konkurrenca në tenderë. Përderisa Paneli i OSHP-së ende nuk e ka dhënë fjalën e fundit, gjetjet e ekspertit kanë ekspozuar një sërë devijimesh që sfidojnë integritetin e procesit. /Demokracia.com/


