Studentët në disa universitete në Iran kanë organizuar protesta kundër qeverisë këtë të shtunë, të parat në këtë shkallë që nga shtypja e përgjakshme e muajit të kaluar nga autoritetet.
Sipas BBC, studentët kanë marshuar në Universitetin e Teknologjisë Sharif në Teheran, në fillim të semestrit të ri të shtunën. Një protestë e ngjashme raportohet se ka ndodhur edhe në qytetin verilindor të Mashhadit.
Protestuesit po nderonin mijëra të vrarë gjatë shtypjes së protestave masive në mbarë vendin.
Ndërkohë, SHBA-të po rrisin praninë ushtarake pranë Iranit dhe presidenti Donald Trump ka thënë se po shqyrton një sulm të kufizuar ushtarak. SHBA-të dhe aleatët evropianë dyshojnë se Irani po afrohet drejt zhvillimit të një arme bërthamore, gjë që Irani e ka mohuar gjithmonë.
Zyrtarë amerikanë dhe iranianë u takuan në Zvicër të martën dhe thanë se kishte përparim në bisedimet për kufizimin e programit bërthamor të Iranit. Por pavarësisht këtij përparimi, Trump tha më pas se bota do ta mësonte “brenda, ndoshta, 10 ditëve të ardhshme” nëse do të arrihej një marrëveshje apo SHBA-të do të ndërmerrnin veprime ushtarake.
Presidenti amerikan i ka mbështetur protestuesit edhe më parë, madje në një rast duke i inkurajuar me premtimin se “ndihma është rrugës”.
Në fund të janarit, Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (Hrana) me bazë në SHBA tha se kishte konfirmuar vrasjen e të paktën 6 mijë e 159 personave që nga fillimi i trazirave, përfshirë 5 mijë e 804 protestues, 92 fëmijë dhe 214 persona të lidhur me qeverinë. Hrana tha gjithashtu se po hetonte edhe 17 mijë vdekje të tjera të raportuara.
Autoritetet iraniane thanë muajin e kaluar se mbi 3 mijë e 100 persona ishin vrarë, por shumica ishin pjesëtarë të sigurisë ose kalimtarë të sulmuar nga “shkatërruesit”.
Protestat e së shtunës vijnë ndërsa autoritetet iraniane po përgatiten për një luftë të mundshme me SHBA-të. Opozita në mërgim po i bën thirrje presidentit Trump të mbajë premtimet dhe të godasë, duke shpresuar për rrëzimin e shpejtë të qeverisë aktuale. Por grupe të tjera opozitare kundërshtojnë ndërhyrjen e jashtme.
Palët kundërshtare janë përfshirë në fushata dezinformimi në rrjetet sociale, duke u përpjekur të maksimizojnë narrativat e tyre të kundërta mbi atë që duan njerëzit iranianë.

