Rastet e fundit të fruthit të raportuara në Kosovë po konsiderohen një sinjal serioz për shëndetin publik, duke ngritur shqetësime për përhapjen e sëmundjes në vend.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e fruthit dhe ndalimin e përhapjes së tij në popullatë.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha-Ndrejaj, ka hedhur poshtë pretendimet se vaksina kundër fruthit lidhet me autizmin, duke sqaruar se nuk ekziston asnjë bazë shkencore për një lidhje të tillë.
Ajo ka theksuar se më e rrezikshme mbetet vetë sëmundja e fruthit, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht në sistemin respirator dhe kardiovaskular.
“Vaksina përmban në vetë tre lloje të vaksinave MMR, është kundër fruthit, kundër mumësit dhe rubeollës. Vaksina kundër fruthit (morbillit) nuk ka asnjë efekt anësor, këtu nuk ka asnjë gjë të vërtetë, përhapja e lajmeve të rreme dhe dezinformatave sigurisht ndikon në popullatën e cila nuk është mirë e informuar, ose me dashje marrin informata të gabuara dhe nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre, prej vaksinave nuk ka rrezik, por ka rrezik prej sëmundjes, sëmundja mund të shkojë me klinikë të rëndë duke dhënë komplikime në sistem nervor qendror, duke dhënë komplikime në sistemin respirator, sistemin kardiovaskular e tjerë e tjerë. Pra rreziku është nga sëmundja, rreziku është nga mosvaksinimi dhe rrezik nuk ka nga vaksinimi, përkundrazi përfitimi nga vaksinimi është shumë i lartë”, tha Berisha-Ndrejaj.
Ajo tha se prindërit me të cilët kanë biseduar janë të gatshëm t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.
“Neve kemi biseduar me prindër të të gjithë fëmijëve që kanë qenë të pavaksinuar, shumica prej tyre nuk është se nuk kanë dashtë me vaksinu fëmiun, por për shkaqe të ndryshme shëndetësore, qoftë ndonjë gjendje tjetër virale e ka shty kohën e vaksinimit, por kemi pasë edhe prej atyre që jo vetëm fëmijët e sëmurë por edhe të tjerët nuk i kanë vaksinuar, ndërkohë që duke biseduar me ta, ata tash e tutje shprehin gatishmëri që t’i vaksinojnë fëmijët e tjerë”, tha Berisha-Ndrejaj.
Kujtojmë se në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 10 raste me sëmundjen e fruthit, prej të cilave katër janë dukë u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjegjësisht në Klinikën Infektive.

