Telenews

Sëmundja e Hantavirusit: Pasagjeri grek transferohet me avion ushtarak drejt karantinës

Një pasagjer grek është vendosur në karantinë në Athinë si masë paraprake, pasi u evakuua nga anija turistike “MV Hondius”, ku u raportua një shpërthim i hantavirusit që ka shkaktuar disa viktima dhe dhjetëra raste të dyshuara infektimi.

Pasagjeri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, po mbahet në izolim në Spitalin e Përgjithshëm Universitar “Attikon” në Athinë. Sipas autoriteteve greke, ai nuk ka shfaqur asnjë simptomë të sëmundjes, por do të qëndrojë për 45 ditë në një dhomë izolimi me presion negativ, e përgatitur posaçërisht për raste të tilla, shkruajnë mediat greke.

Evakuimi i pasagjerëve u krye të dielën, pasi anija “MV Hondius” mbërriti në Tenerife, ishulli më i madh i arkipelagut të Ishujve Kanarie në Spanjë. Pasagjeri grek ishte pjesë e grupit prej 26 personash që u transportuan fillimisht në Eindhoven të Holandës me një fluturim evakuimi dhe më pas në Greqi me një avion ushtarak C-130 të Forcave Ajrore Greke, nën mbikëqyrje mjekësore.

Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, deklaroi përmes një postimi në rrjetet sociale se nuk ka arsye për panik, duke theksuar se pasagjeri nuk ka shfaqur shenja infeksioni dhe se karantina është vendosur vetëm për arsye sigurie.

Sipas raportimeve, të paktën gjashtë persona në bord kanë rezultuar pozitivë me hantavirus, ndërsa tre persona kanë humbur jetën që nga fillimi i shpërthimit, përfshirë edhe një pasagjer të anijes. Një shtetas amerikan i evakuuar gjithashtu ka rezultuar pozitiv, por mbetet pa simptoma.

Të ngajshme

“Mirë se erdhe Vjosë në shtëpi” – LDK del me videomesazh për Osmanin

Valjeta Turkaj

Nesër varroset Rifat Stojkaj, sekretari i AAK-së në Deçan

Valjeta Turkaj

Nis seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve kundër administrimit të drejtësisë

Valjeta Turkaj