Nico Gonzalez pritet të vazhdojë te Atletico Madrid edhe në sezonin 2026/27, pasi raportimet nga Italia bëjnë të ditur se mes palëve tashmë ekziston një marrëveshje paraprake për qëndrimin e argjentinasit në kryeqytetin spanjoll.
Sulmuesi anësor e kaloi sezonin 2025/26 te Atletico si i huazuar nga Juventusi. Klubi madrilen kishte paguar 1 milion euro për huazimin e tij, shumë që mund të arrinte deri në 2 milionë euro përmes bonuseve, ndërsa marrëveshja përfshinte edhe një detyrim blerjeje prej 32 milionë eurosh.
Megjithatë, klauzola për blerjen automatike nuk mund të aktivizohet më. Sipas marrëveshjes, Atletico do të detyrohej ta blinte përfundimisht lojtarin nëse ai do të luante të paktën 45 minuta në 60 për qind të ndeshjeve të LaLigës ku ishte i gatshëm gjatë sezonit 2025/26.
Duke qenë se Nico Gonzalez ishte ende pjesë e Juventusit në tri ndeshjet e para të sezonit, atij i nevojiteshin minimumi 21 paraqitje me nga 45 minuta ose më shumë për të arritur pragun e kërkuar. Edhe pse këtë sezon është aktivizuar në 24 ndeshje të LaLigës, vetëm në 16 prej tyre ka luajtur mbi 45 minuta.
Me vetëm dy ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit dhe me lojtarin që mungon prej tri sfidash për shkak të një lëndimi muskulor, objektivi për aktivizimin e klauzolës tashmë është i pamundur.
Sipas “Tuttosport”, Atletico Madrid dhe Diego Simeone dëshirojnë ta mbajnë lojtarin edhe pas përfundimit të huazimit, por jo për shumën prej 32 milionë eurosh të përcaktuar në marrëveshjen fillestare. Raportime të tjera bëjnë të ditur se klubi spanjoll synon t’i ofrojë lojtarit kontratë deri në verën e vitit 2031.
Mediumi italian pretendon se ekziston tashmë një dakordim mes përfaqësuesve të lojtarit dhe Atleticos, ndërsa edhe Juventusi është i gatshëm të negociojë shitjen sa më shpejt.
Arsyeja kryesore lidhet me aspektin financiar, pasi klubi torinez duhet të sigurojë të ardhura para 30 qershorit për të shmangur ndëshkime nga UEFA.
Juventusi besohet se duhet të arkëtojë mbi 20 milionë euro për të mos regjistruar humbje kapitale nga shitja e Nico Gonzalezit. Sidoqoftë, raportimet e fundit thonë se Atletico nuk ka ndërmend të paguajë më shumë se 30 milionë euro për anësorin 28-vjeçar, megjithëse optimizmi për arritjen e marrëveshjes mbetet i lartë.

