Telenews

Berisha: Dënoj dhunën ndaj protestuesve, çdo qytetar t’i bashkohet protestë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi sot dhunën e ushtruar sipas tij ndaj protestuesve gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë para ambienteve të Kuvendit, duke e cilësuar atë si “dhunë shtazore” dhe duke akuzuar qeverinë për represion ndaj qytetarëve.

Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se gjatë protestës janë agresuar gra me fëmijë të vegjël, qytetarë që nuk kishin lidhje me protestën, si edhe janë kërcënuar qytetarë vetëm pse po protestonin në mënyrë paqësore.

“Dua të dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër shtazore të përdorur dje kundër protestuesve. Janë agresuar gra me fëmijë të vegjël me karroca. Janë agresuar qytetarë pa asnjë lidhje me protestën. Janë agresuar dhe kërcënuar me jetë eksponentë të protestës, vetëm e vetëm se po protestonin në mënyrën më paqësore”, tha ai.

Sipas tij “aktet e dhunës shtazore të ushtruara këto ditë ndaj protestuesve paqësorë janë dëshmi e plotë e fytyrës kriminale të këtij regjimi diktatorial”.

“Duke dënuar ato me forcën më të madhe, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, të gjithë qytetarëve, të bashkohen dhe të mbështesin këtë protestë për të realizuar largimin e këtij regjimi, ndër më të këqijtë që kanë njohur shqiptarët në histori”, tha ai.

Berisha deklaroi se kërkesat e protestës qytetare janë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve, të cilat, sipas tij, po dëmtohen nga qeverisja aktuale.

“Është koha që çdo qytetar shqiptar të japë kontributin e tij për shpëtimin e vendit.  Kërkesat e lëvizjes së protestës rinore qytetare, janë kërkesa të çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Janë kërkesa në mbrojtje të interesave jetike të shqiptarëve, interesa të kërcënuara në mënyrë fatale nga organizata kriminale dhe qeverisja shqiptare dhe kreu i saj Edi Rama që plaçkisin çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, dhe varfërojnë në mënyrë të të tmerrshme shqiptarët”, tha Berisha.

Ai ftoi demokratët të japin kontributin e tyre në këtë moment, që sipas tij, është historik.

Të ngajshme

Dyshimet për varrezë masive në Zubin Potok, ndalohen dy persona

Blearta

Rita Ora flet për rrënjët e saj nga Kosova: Jam krenare që jam emigrante

Blearta

Vdes 62-vjeçari nga Kosova, u godit nga një kamion në Portin e Durrësit

Blearta