Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë këtij afati kalimtar, pasi klubi italian është i gatshëm të dëgjojë oferta për sulmuesin kosovar.
“Zonja e Vjetër” ende nuk ka pranuar ndonjë ofertë konkrete për Zhegrovën, por drejtuesit e klubit janë të hapur për mundësinë e largimit të tij, raporton “Tuttomercato”.
Sipas këtij mediumi, Zhegrova ende nuk ka arritur të tregojë versionin e tij më të mirë në Torino dhe nuk shihet si një futbollist kyç në projektin e trajnerit të Juventusit, Luciano Spalletti.
Sulmuesi i Kosovës nuk ka pasur shumë hapësirë te Juventusi gjatë edicionit të kaluar. Ai e përfundoi kampionatin pa shënuar gol dhe pa regjistruar asistim.
Në të gjitha garat, 27-vjeçari zhvilloi vetëm 525 minuta lojë, ndërsa në shumë ndeshje u aktivizua nga banka rezervë në pjesën e dytë.
Zhegrova iu bashkua Juventusit në verën e kaluar, pasi u transferua nga Lille për 15.5 milionë euro. Kontrata e tij me klubin italian është e vlefshme deri në vitin 2030.

