Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po kërkon dëbimin e Blerim Skoros, 55-vjeçarit me origjinë nga Kosova, i cili pretendon se për vite me radhë ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me inteligjencën amerikane dhe është infiltruar në Al-Kaeda pas sulmeve të 11 Shtatorit.
Sipas CBS News, Skoro, baba i tre fëmijëve, është arrestuar nga Agjencia Amerikane për Imigracionin dhe Doganat (ICE) më 3 gusht, jashtë një zyre emigracioni në New Jersey, ku kishte shkuar për të rinovuar dokumentacionin.
Avokatët e tij i janë drejtuar një gjykate federale duke kërkuar ndalimin e dëbimit, me pretendimin se atij i ishte premtuar leje qëndrimi pas viteve të bashkëpunimit me autoritetet amerikane.
“Kurrë nuk mendova se do të më tradhtonin kështu”, ka thënë Skoro nga Qendra e Paraburgimit Elizabeth.
“Ju lutem, nëse vdes, dua të vdes në këtë vend, që fëmijët e mi të mund të më varrosin këtu”, ka deklaruar ai.
Skoro aktualisht punon si shofer taksie në Staten Island, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët e tij janë shtetas amerikanë.
Sipas dokumenteve të FBI-së të cituara nga CBS News, ai kishte filluar bashkëpunimin me autoritetet amerikane pasi ishte burgosur për trafikim heroine në vitin 2000.
Nga viti 2002 deri më 2006, gjatë vuajtjes së dënimit në Pensilvani, ai u kishte ofruar autoriteteve informacione për persona të dyshuar si militantë. Dokumentet e FBI-së e identifikonin si informator në një hetim ku përmendej edhe Osama bin Laden dhe një pjesë të informacioneve të tij i cilësonin si të besueshme dhe të përdorshme.
Pas dëbimit në Kosovë në vitin 2007, Skoro pretendon se CIA e kishte udhëzuar të depërtonte në rrjete të Al-Kaedës. Sipas tij, ai ka vepruar në fshehtësi nga viti 2007 deri më 2009, duke udhëtuar në disa vende.
Avokatët e tij pretendojnë se bashkëpunimi i Skoros ka ndihmuar autoritetet amerikane në raste që lidhen me anëtarë të Al-Kaedës, Al-Shabaabit dhe Hezbollahut.
Ai thotë se identiteti i tij i rremë më vonë ishte zbuluar dhe se i kishte mbijetuar një atentati, përpara se të rikthehej në Shtetet e Bashkuara në vitin 2014.
Në vitin 2022, një gjykatës federal kishte ndaluar dëbimin e tij drejt Kosovës në bazë të Konventës Kundër Torturës, duke vlerësuar se mund të përballej me rrezik torturimi ose vrasjeje.
Megjithatë, ky vendim nuk i kishte siguruar leje të përhershme qëndrimi në SHBA.
Avokatët e Skoros argumentojnë se ICE-ja po e shkel këtë mbrojtje duke tentuar ta dëbojë pa marrë më parë miratimin e gjykatës.

