Telenews

Brajan Gruda zgjedh Gjermaninë, lë pas Shqipërinë dhe Kosovën –

Jürgen Klopp pritet ta bëjë të enjten grumbullimin e tij të parë si trajner i Kombëtares së Gjermanisë, ndërsa tashmë kanë nisur të dalin emrat e futbollistëve që mund të jenë pjesë e listës së tij.

Një prej tyre është sulmuesi anësor i RB Leipzigut, Brajan Gruda, i cili, sipas Florian Plettenberg dhe siç raporton “iMiaSanMia”, pritet të ftohet nga Klopp për ndeshjet e shtatorit.

Edhe pse kjo nuk do të ishte ftesa e parë e Grudës nga Gjermania, 21-vjeçari ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me ekipin A. Megjithatë, kjo pritet të ndryshojë gjatë këtij grumbullimi.

Gruda ka qenë në formë të mirë me RB Leipzigun që prej transferimit të tij dhe mund t’i ofrojë skuadrës së Kloppit një element që i ka munguar në repartin ofensiv – shpejtësinë.

Nëse Klopp vendos t’i japë hapësirë, Gruda mund të luftojë edhe për një vend në formacionin titullar, veçanërisht nëse arrin të impresionojë gjatë ndeshjeve të ardhshme.

Ftesa nga Gjermania do të nënkuptonte gjithashtu se Gruda mund të mos e zgjedhë Shqipërinë apo Kosovën, dy kombëtare për të cilat më herët është raportuar se kanë shfaqur interesim për të, veçanërisht Shqipëria.

Brajan Gruda ka origjinë nga Shqipëria veriore, por ka lindur në Gjermani. Ai është formuar në futbollin gjerman, ku ka kaluar në akademitë e Karlsruhes dhe Mainzit, para se të debutonte me ekipin e parë të këtij të fundit.

Në vitin 2024, Gruda u transferua nga Mainzi te Brighton në Premierligë për 31.5 milionë euro. Aktualisht, ai është i huazuar te RB Leipzigu deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Në nivelin ndërkombëtar, Gruda ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmoshat U15, U16, U17, U18, U19 dhe U21.

Tash mbetet të shihet nëse Klopp do t’i japë mundësinë të debutojë me Kombëtaren A të Gjermanisë.

Të ngajshme

Granit Xhaka: Sunderlandi e meriton të jetë këtu, Europa League është një tjetër sfidë

Yllka Gashi

Real Madridi kërkon sonte fitoren ndaj Elches, në mision për kreun e La Ligës

Yllka Gashi

Elvis Rexhbeçaj lëndohet, s’dihet nëse merr pjesë në ndeshjet e Kosovës në Nations League –

KushtrimGuraj