“Ditë e kobshme” e ka cilësuar diplomati amerikan në pension, William Walker, vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Walker, i cili gjatë luftës në Kosovë drejtoi Misionin Verifikues të OSBE-së, është një nga diplomatët amerikanë që u bë i njohur për qëndrimin e tij gjatë viteve 1998-1999.
Ai ishte në krye të misionit ndërkombëtar kur ndodhi masakra e Reçakut në janar 1999. Pas vizitës në vendin e ngjarjes, Walker e cilësoi atë si një “mizori të papërshkrueshme” dhe si krim kundër njerëzimit. Qëndrimi i tij ndaj ngjarjeve në Kosovë e vendosi atë në përplasje edhe me autoritetet e atëhershme jugosllave.
Duke folur për vendimin e sotëm, Walker tha se është mërzitur shumë dhe e cilësoi atë si një ditë të rëndë për Kosovën.
“Dua ta pyes Bashkimin Evropian, ku ishit para se lufta të niste kur serbët i keqtrajtuan në format më mizore kosovarët. Përpos deklaratave, asgjë më serioze. Ju desh NATO-s, Albrightit e Clarkut që të angazhohen seriozisht”, deklaroi Walker për Klan Kosovën.
Ai përmendi dhunimet dhe trajtimet mizore gjatë luftës, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
“Ata po mundohen që përmes gjyqtarëve e avokatëve që s’dinë asgjë për Kosovën t’i gjykojnë liderët kosovarë të UÇK-së. Ditë e kobshme dhe shumë e rëndë, u mërzita shumë me vendimin”, tha ai.
Walker shtoi se vendimi i sotëm, sipas tij, do të ndikojë rëndë edhe në mënyrën se si ndërkombëtarët do ta shohin Kosovën në të ardhmen.

