Telenews

PDK mbështet protestat e nesërme në komunat e Kosovës, fton qytetarët në protestën e 1 tetorit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se mbështet protestat e nesërme në të gjitha komunat e Kosovës, të thirrura nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në njoftim, PDK-ja thotë se e konsideron të domosdoshëm respektimin e zërit të qytetarëve, të cilët përmes protestave po shprehin kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale.

“Partia Demokratike e Kosovës mbështet protestat e nesërme në të gjitha komunat e Kosovës, të thirrura nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat do të mbahen në qytete të ndryshme të vendit, pas vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftim.

PDK-ja ka vlerësuar edhe protestat që, sipas saj, tash e dhjetë ditë po zhvillohen në Kosovë, si dhe tubimet e shqiptarëve në diasporë.

“Njëkohësisht, Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lart të gjitha protestat që tash e dhjetë ditë po zhvillohen në Kosovë, si dhe protestat e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi, në vende të ndryshme të Evropës dhe kudo tjetër në botë, ku qytetarët po shprehin mospajtimin e tyre ndaj këtij vendimi”, thuhet tutje.

Sipas PDK-së, pjesëmarrja e qytetarëve në sheshet e Kosovës për dhjetë ditë me radhë, sipas saj, përcjell mesazhin se vendimi i Gjykatës Speciale nuk është marrë në emër të popullit të Kosovës.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në sheshet e Kosovës, për dhjetë ditë me radhë, përcjell një mesazh të qartë nga protestuesit se vendimi i Gjykatës Speciale nuk është marrë në emër të popullit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar qytetarët që, krahas protestave të organizuara deri tani, të marrin pjesë edhe në protestën e thirrur nga platforma “Liria ka emër”, e cila është paralajmëruar për 1 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

“Krahas këtyre protestave të organizuara deri tani, PDK i fton qytetarët që të marrin pjesë masivisht edhe në protestën e thirrur nga platforma ‘Liria ka emër’, më 1 tetor, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

PDK-ja ka deklaruar se reagimi qytetar në Kosovë dhe diasporë duhet të trajtohet nga institucionet e vendit, duke theksuar se kundërshtimi ndaj vendimit të Hagës po shprehet në mënyrë paqësore dhe demokratike.

“Reagimi qytetar në Kosovë dhe në diasporë është një zhvillim publik që institucionet e vendit duhet ta trajtojnë me seriozitet. Kundërshtimi ndaj vendimit të Hagës po shprehet çdo ditë në sheshe, në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kjo parti ka kërkuar që përgjegjësia institucionale të mos përfundojë vetëm te qytetarët që protestojnë.

“Në të njëjtën kohë, përgjegjësia institucionale nuk përfundon te qytetarët që protestojnë. Institucionet e Kosovës dhe spektri politik duhet t’i trajtojnë me seriozitet dhe urgjencë hapat institucionalë dhe ligjorë që lidhen me procesin e padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe fazat e mëtejshme të tij”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

PDK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional lidhur me procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e konsideruar prioritet votimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thotë njoftimi.

Të ngajshme

Shehu: Investimet strategjike në Kosovë e Shqipëri mund të tejkalojnë 10 miliardë dollarë

Yllka Gashi

Në sheshin e Podujevës vendosën flamujt e UÇK-së një ditë para protestës për Çlirimtarët

Yllka Gashi

LKE fton bashkatdhetarët t’i bashkohen protestave nëpër Evropë më 26 dhe 27 shtator: Jo në emrin tim

Yllka Gashi