Telenews

Valon Murseli i PDK-së ngre shqetësime: Dy muaj pritje për auditimin, ndërsa Komuna ndan 2 mijë euro subvencion

Asambleisti i PDK-së në Fushë Kosovë, Valon Murseli, ka ngritur shqetësime lidhur me vonesën në trajtimin e kërkesave për auditim dhe një subvencion prej 2 mijë eurosh, të ndarë nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Fushë Kosovës.

Sipas Murselit dhe grupit të PDK-së, kanë kaluar rreth dy muaj që nga dorëzimi i tri kërkesave për auditim, ndërsa deri më tani, sipas tyre, nuk kanë marrë përgjigje nga Njësia e Auditimit.

Murseli ka deklaruar se nga kryetari i komunës u ishte bërë e ditur se ishte dhënë leje për shqyrtimin e kërkesave të tyre, ndërsa sipas informacioneve që kanë, kjo leje lidhej vetëm me procesin e bursave.

Në të njëjtën kohë, asambleisti i PDK-së ka ngritur shqetësime lidhur me një subvencion prej 2 mijë eurosh, të ndarë nga Drejtoria e Kulturës për projektin me titull “Hartimi i Projektit Landscape për Revitalizimin e Oborrit të një shkolle publike në Fushë Kosovë”.

Sipas pretendimeve të PDK-së, përfituesi i këtij subvencioni është familjar i afërt i një anëtari të Njësisë së Auditimit, duke ngritur kështu dyshime për konflikt të mundshëm interesi.

Dokumenti i publikuar tregon shumën prej 2,000 eurosh në listën e përfituesve, mirëpo nga fotografia e vetme nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur identiteti i përfituesit apo lidhja familjare e pretenduar.

Derisa PDK-ja, përmes asambleistit Valon Murseli, thotë se pret tash e dy muaj për shqyrtimin e kërkesave për auditim, ajo kërkon sqarime se si është bërë ndarja e subvencionit prej 2 mijë eurosh dhe nëse janë respektuar të gjitha kriteret dhe procedurat.

Mbetet që Komuna e Fushë Kosovës dhe Njësia e Auditimit të japin sqarime lidhur me procesin e auditimit, kriteret e përzgjedhjes së përfituesit dhe nëse në këtë rast ka pasur apo jo konflikt interesi.

 

Të ngajshme

Rusia fillon mobilizimin, Zelenskyy: Koreja e Veriut do dërgojë 10 mijë trupa shtesë

Yllka Gashi

Caktohet trupi gjykues i Apelit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Yllka Gashi

PDK ngre dyshime për nepotizëm në Ndërmarrjen Lokale “Fushë Kosova”

Rrezarta Ramaj