Sot u nda nga jeta, ish-presidenti i shtetit të Shqipërisë, Bujar Nishani.
Ish-kreu i shtetit shqiptar që për nga besimi i takonte religjionit islam, kishte kryer edhe ritualin e Umres në këtë fe, duke u titulluar me emrin – haxhi, shkruan Telenews.al
Bujar Nishani këtë ritual islam e kishte kryer në përfundim të mandatit si president, bashkë me bashkëshorten e tij, ku ishin në një vizitë private në vendet e shenjta Islame Meka dhe Medina në Arabinë Saudite.
Ish-Presidenti Nishani ishte në gjendje kritike për jetën prej disa javësh dhe mbahej në jetë me aparatura. Ish-presidenti Nishani vuante nga pneumonia bilaterale, ndërsa pas prekjes nga Covid-19, shëndeti i tij u përkeqësua ndjeshëm.
Fillimisht u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe më pas me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore u dërgua për mjekim më të specializuar në një spital në Berlin.
Burime nga spitali thanë se prej disa ditësh ai po mbahej në jetë me anë të aparaturave, por mesditën e kësaj të shtune, mjekët, me konsensusin e familjes, kanë marrë vendimin t’ia shkëpusin aparaturat.
Nishani do të mbetet përherë në memorien e shtetit shqiptar si njëra prej figurave më markante të politikës shqiptare që me dijen dhe urtësinë e tij, bëri aq sa kishte në dorë për Shqipërinë që shumë e deshti. /Telenews.al/

