Sipas të dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar potencoi se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.
“Por, Asociacioni nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, të pengojë funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit”, tha ai.
Sipas top-diplomatit amerikan ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.
“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.