Kallëzimi penal për mosdeklarim të pasurisë ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, vazhdon të mbetet nën hije.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, për Klankosova tha se se nuk mund as ta konfirmojë dhe as ta mohojë pretendimin se AKK-ja ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit Berishaj.
“Ju faleminderit për kontaktin. Por, unë nuk mundem as ta konfirmojë dhe as ta mohojë pretendimin tuaj”, tha Buleshkaj për Klankosova
Mirëpo, as në përgjigjen zyrtare të AKK-së të dhënë për Klankosova nuk sqarohet nëse kallëzimi penal ndaj ambasorit është ngritur.
“Në lidhje me pyetjen e adresuar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e obliguar ta respektoj dispozitën ligjore të Ligjit NR.08/L-01703/ për Agjencinë Për Parandalimin e Korrupsionit i cili ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti dhe i njëjti ka përcaktuar me Nenin 28 (Publikimi, mbrojtja e të dhënave, ruajtja e të dhënave dhe konfidencialiteti i informacionit) se: Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni për fshehtësinë zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si informacion të klasifikuar çdo informacion që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet fshehtësi e informacionit zyrtar, në pajtim me ligjin përkatës në fuqi. 2. Në kuptim të këtij ligji informacion i klasifikuar zyrtar konsiderohen: 2.1. informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i hetimit administrativ nga Agjencia. 3. Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi” thuhet në përgjigjen e tyre.
Megjithatë sipas tyre thuhet se kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë për shkak të trajtimit të rastit nga Prokuroria.
“Kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë sepse Prokuroria gjatë trajtimit të rastit mund ta hedhë kallëzimin penal apo mund të zhvilloj hetime dhe ndjekje penale”.

