Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ia kishte dërguar Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të MKRS-së një certifikatë që e kishte nxjerrë në emër të rregullimit të dokumenteve për vizë udhëtimi, në vend të certifikatës origjinale të gjykatës që dëshmon se ai nuk është nën hetime.

Në një dokument të parë nga Gazeta Nacionale, Komisioni Vlerësues i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit tregon se si FFK-ja kishte dërguar një listë shumë të mangët dokumentesh kur kishte aplikuar për licencim në shtator.

Ndër kërkesat e ligjit për licencimin e federatave është edhe pastërtia ligjore e udhëheqësve të federatave sportive në vend.

Ademi duhej t’ia dërgonte komisionit certifikatën origjinale nga gjykata që dëshmon se ai nuk është në hetime, por sipas dokumentit të parë nga Nacionale, ai i ka dërguar certifikate që e kishte nxjerrë më herët për rregullimin e dokumentacionit për vizë.

“Agim Ademi ka sjellur vërtetim nga gjykata që është nxjerrë në emër të rregullimit të kodumentacionit për vizë, dhe duhet ta sjellë certifikatën unike nga gjykata përkatëse në origjinal”, shkruhet në dokumentin e MKRS-së.

Komisioni Vlerësues e akuzoi Ademin ishte munduar të mashtrojë edhe në publik në lidhje me dokumentacionin për aplikim të FFK-së, pasi ai kishte pretenduar në një intervistë për Periskopin më 14 dhjetor se federata e kishte dërguar 15 folderë me dokumente për licencim.

Sipas këtij komisioni, në fakt, FFK-ja i ka dërguar vetëm 5 folerë me dokumente për licencim.

“Për ta dëshmuar se sa e rëndësishme është kërkesa e KVLFS-së që i gjithë dokumentacioni përveç formës fizike të sjellet edhe në kopje elektronike, shërben prononcimi publik i Kryetarit të FFK-së z. Agim Ademi në emisionin televiziv (Periskopi), me datë 14 Dhjetor 2022, ku përveç tjerash ka deklaruar se: Federata e Futbollit e Kosovës ka dorëzuar 15 folderë me dokumente për licencim të FFK-së pranë zyrës së arkivit të MKRS-së, ndërsa që e vërteta është se FFK-ja ka aplikuar për licencim me 5 folderë me dokumente!” thuhet në letrën e MKRS-së dërguar Ademit.

Ademi – i cili u zgjodh në mënyrë kontroverse edhe për një mandat në krye të shtëpisë së futbollit në vend në maj – është duke u rigjykuar për sulm dhe kërcënim ndaj një personi.

Ademi së bashku me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar atij para në vlerë prej 30 mijë euro ose një veturë luksoze “BMW X5”.

Federata e futbollit rrezikon seriozisht të mos e marrë licencën nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit për kryerjen e veprimtarive sportive në territor vendi, për shkak të telasheve me udhëheqësin e vet, Agim Ademi, i cili është në rigjykim.

Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive madje e ka akuzuar Ademin se po përpiqet ta shantazhojë dhe t’i bëjë presion komisionit në punën e tij.

Për shkak të moslicencimit të FFK-së, futbolli në vend rrezikon kolapsin, pasi klubet e futbollit nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.

Vendimi i komisionit të MKRS-së për të mos iu lëshuar vërtetim për licencim klubeve është një goditje e rëndë për klubet e futbollit, të cilat e shohin atë si burimin kryesor të financimit. Klubet pritej të përfitonin shuma të larta nga ky ligj.

Po ashtu, sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30%) nga tatimi në fitim sipas këtij ligji./Nacionale