Një grevë 24-orëshe në shtatë aeroporte gjermane ka ndikuar në fluturimet e gati 300.000 pasagjerëve, pasi sindikatat e punëtorëve janë duke kërkuar paga më të mëdha.
“Terminalet janë të thata këtë mëngjes”, ka thënë një zëdhënës i aeroportit në Hamburg.
Sipas Asociacionit të aeroporteve të Gjermanisë, rreth 2.340 fluturime janë anuluar në aeroportet e Bremenit, Dortmundit, Frankfurtit, Hamburgut, Hanoverit, Mynihut dhe Shtutgartit.
“Kur shikonim terminalet e aeroporteve këtë mëngjes, na janë kujtuar ditët më të rënda të pandemisë së koronavirusit”, ka thënë udhëheqësi i Asociacionit të aeroporteve të Gjermanisë, Ralph Beisel për mediumet gjermane.
Sindikata gjermane e punëtoreve Verdi ka paralajmëruar të mërkurën për protestë, pasi ka thënë se përpjekjet për të përmirësuar situatën për punëtorët e këtij sektori, kanë rezultuar me pak përparim.
“Nëse nuk bëhet asgjë sa i përket pagesës, situata do të jetë sërish kaotike në verën e ardhshme”, ka thënë zëvendësshefja e sindikatës Verdi, Christine Behle.
“Kjo ka të bëjë me dërgimin e një mesazhi të fuqishëm”.
Greva është duke u mbajtur në ditën e hapjes së Konferencës së Sigurisë në Mynih.

