Telenews

Milatoviq pas betimit: Prioritet do të jetë përshpejtimi i rrugës drejt BE-së

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka bërë betimin sot në Kuvendin e Malit të Zi në Podgoricë dhe ka marrë detyrën e kreut të shtetit malazez.

“Betohem se do t’i kryej detyrat e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri, sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha ai.

Në ceremoni morën pjesë një numër i madh zyrtarësh të huaj, duke përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Gjithashtu ishte edhe i dërguari special i SHBA-së, Gabriel Escobar si dhe i dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Pas betimit, Milatoviq tha se është i nderuar që është president i Malit të Zi, vendi ku ka lindur dhe të cilin e do pa masë, raporton rtcg.

“Unë do të jem me të vërtetë president i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare dhe fetare”, tha ai.

Presidenti i ri deklaroi se së bashku me vendimmarrësit e tjerë kanë përpara detyra të mëdha, të cilat do t’i kryejnë në një mjedis më të lirë.

“Eliminimi i ndarjeve të brendshme, ndërtimi i institucioneve të forta dhe të pavarura, afirmimi i të drejtave të njeriut, shpërndarja e paanshme e drejtësisë, një shoqëri me mundësi të barabarta, si dhe krijimi i një modeli të qëndrueshëm ekonomik do të kërkojë angazhimin e plotë të vendimmarrësve dhe atyre që t’i zbatojnë ato vendime”, tha 36-vjeçari.

Milatoviq nënvizoi se prioritet i të gjitha prioriteteve do të jetë përshpejtimi i rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

Ai është presidenti i tretë që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi më 21 maj të vitit 2006.

Para tij ishte Filip Vujanoviq në tre mandate, me faktin se ai u zgjodh për herë të parë pas themelimit të Bashkimit Shtetëror të Serbisë dhe Mali i Zi. Vujanoviq u zëvendësua në postin presidencial në vitin 2008 nga Milo Gjukanoviq.

Presidenti i Malit të Zi zgjidhet për një periudhë pesëvjeçare, me zgjedhje të drejtpërdrejta. 

Të ngajshme

Getinjo dhe Mozziku sot nisin ditën në këtë vend të shenjët

Erzana Fazliu

Rrustemi: Të gjitha i kemi bërë bashkë me presidenten, e çmoj kontributin e saj

Erzana Fazliu

Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës për inkuadrim në Ligën B të Kombeve

Erzana Fazliu