Një kompani ligjore ka kundërshtuar kriteret financiare të tenderit të vendosura nga Komuna e Prishtinës për “Shërbimet e përfaqësimit, avokaturës dhe procedurave të ndërmjetësimit”, duke kërkuar sqarime për vlerën e qarkullimit vjetor që duhet të dëshmojnë operatorët ekonomikë.
Në kërkesën për rishqyrtim të datës 3 nëntor 2026, kompania “Investment Corporate Lawyers” (ICL) ka evidentuar mospërputhje në dokumentacionin e tenderit, ku sipas saj paraqiten dy vlera të ndryshme të qarkullimit vjetor: 200 mijë euro dhe 150 mijë euro.
Kjo mospërputhje, sipas kompanisë, krijon paqartësi për operatorët ekonomikë lidhur me kushtin financiar që duhet ta përmbushin për të marrë pjesë në garë.
ICL-ja kërkon nga Komuna e Prishtinës që të sqarojë se cila është vlera e saktë e qarkullimit vjetor të kërkuar, nëse kriteri është 150 mijë apo 200 mijë euro, si dhe cilat dokumente financiare duhet të dorëzohen për dëshmimin e këtij kushti.
Përveç kriterit financiar, kompania ka kundërshtuar edhe kërkesën për së paku tre vjet përvojë të zyrës ligjore, angazhimin e një avokati me mbi shtatë vjet përvojë pas licencimit dhe numrin minimal prej pesë avokatësh të licencuar.
Kompania ka kërkuar rishikimin e kritereve dhe korrigjimin e paqartësive në dosjen e tenderit.
Pretendimet e ICL-së janë qëndrime të kompanisë ankuese dhe nuk përbëjnë konstatim përfundimtar se Komuna e Prishtinës ka shkelur legjislacionin e prokurimit publik.

