Boksierët Anthony Joshua dhe Kristian Prenga kanë tërhequr vëmendjen me një gjest simbolik para përballjes së tyre, duke formuar shqiponjën dykrenare me duart e bashkuara.
Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, dy sportistët shihen të buzëqeshur pranë njëri-tjetrit, ndërsa gjesti i tyre është pritur me reagime të shumta nga tifozët shqiptarë.
Përballja ndërmjet Prengës dhe ish-kampionit të botës në peshat e rënda është paraparë të zhvillohet të shtunën, më 25 korrik 2026, në arenën “Jeddah Superdome” në Xhedah të Arabisë Saudite.
Anthony Joshua hyn në këtë duel me një karrierë të pasur, gjatë së cilës ka mbajtur titujt e kampionit të botës në versionet WBA, IBF dhe WBO. Britaniku është përballur me disa nga emrat më të njohur të boksit, përfshirë Wladimir Klitschkon, Oleksandr Usykun dhe Andy Ruizin.
Në anën tjetër, Kristian Prenga synon ta shfrytëzojë këtë përballje për të shënuar momentin më të madh të karrierës së tij. Boksieri shqiptar njihet për stilin agresiv dhe fuqinë në ring, ndërsa dueli me Joshuan konsiderohet sfida më e madhe e tij deri më tani.

