BE-ja në Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre në organet zgjedhore që, në prag të zgjedhjeve të parakohshme, të sigurojnë një proces votimi paqësor, të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Në reagimin e saj, BE-ja ka theksuar rëndësinë e funksionimit dhe themelimit të institucioneve të Kosovës, si dhe të vazhdimit të rrugës integruese drejt Bashkimit Evropian.
“Votimi duhet të jetë paqësor, i lirë, i drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në thirrjen e BE-së, duke nënvizuar se konsolidimi institucional dhe integrimi evropian i Kosovës janë thelbësore.
Ndryshe, Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes një njoftimi të përbashkët për media theksuan përkushtimin në mbrojtje të rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë javëve të fundit, institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që ndërlidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.
“Ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve. Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës.
Po ashtu, më 4 qershor 2026, në të njëjtën komunë, është arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin”, thuhet në njoftim.

