Emri i presidentit rus Vladimir Putin është më i përfoluri në gjithë botën që më shumë se dy javë, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Krahas lajmeve për vendimet e tij politike dhe ushtarake, jeta personale e Putinit ka marrë vëmendje në opinion. Një nga raportimet e fundit është për mënyrën e çuditshme se si i kishte propozuar martesë Lyudmila Shkrebnevas me të cilën kurorëzoi dashurinë më 1983. Me të ai ka dy vajza, Mariyan dhe Yekaterinan.
Edhe pse e ka mbajtur sekrete jetën personale, çifti njoftoi për ndarjen në një intervistë televizive në qershor të 2013-s. Shkurorëzimi u konfirmua më vonë kur emri i Lyudmilas u hoq nga biografia zyrtare e Putinit në uebfaqen e Kremlinit. Aty përmendeshin vetëm fëmijët.
Në biografinë e tij të vitit 2000, që përmban seri intervistash të Putinit dhe figurave afër tij, Lyudmila kishte dhënë detaje për marrëdhënien e çiftit. Në një bisedë të zakonshme ajo kishte treguar se nuk kishte pasur shumë pritje nga burri “i veshur thjeshtë” kur kishte dalë në një takim bashkë me një çift tjetër afër një teatri. Por dyshja kishte vazhduar kontaktet dhe Putini ia kishte dhenë numrin e tij – lëvizje e pazakontë për një ish-zyrtar të inteligjencës.
Pas tre vjetësh e gjysmë, Putini i kishte propozuar, por në mënyrë të pazakontë duke e shtangur Lyudmilan. E kishte bërë duke e bindur se në fakt po përpiqet të ndahen.
“Një natë, po rrinim në shtëpi dhe ai më tha ‘Ti e di çfarë personi jam unë’. Unë s’jam njeri që mashtrohem lehtë. Ai ishte vetëkritik. Më shpjegonte se ishte njeri i qetë, i rreptë në disa gjëra, por se madje edhe mund të fyente njerëz. Ai po thoshte se është partner që sjell rreziqe në jetë. Dhe më pas shtoi: ‘Për tre vjet e gjysmë, me siguri se tashmë ke mbledhur mendjen’. Më tingëllonte krejt sikur po ndaheshim. ‘Po, kam vendosur’, i thashë. Më pas ai më pyeti me dilemë ‘Po?’ Dhe më pas isha e sigurt se kjo ishte çështja, se po ndaheshim. Por më pas më tha, ‘epo nëse kjo është ashtu siç është, unë të dua dhe propozoj të martohemi’. Andaj krejt kjo ishte befasi për mua”, kishte treguar Lyudmila, raporton “The Mirror”.