Federata e Futbollit të Kosovës ka zbuluar se e ka informuar UEFA-n dhe FIFA-n për katrahurën e krijuar ditëve të fundit mes saj dhe Ministrisë së Sportit.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Taulant Hodaj i ka treguar Express se shtëpia e futbollit ndërkombëtar dhe ajo e futbollit evropian janë njoftuar për çdo detaj rreth kërkesës së FFK-së për licencim në Ministrinë e Sportit dhe për kërkesat që ia ka bërë Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive, FFK-së, respektivisht komentet për plotësimin e disa pikave dhe kritereve që s’i ka përmbushur kjo e fundit.
E më pas, UEFA dhe FIFA do ta vlerësojnë nëse kishte ndërhyrje politike apo jo nga Ministria e Sportit.
“UEFA dhe FIFA janë njoftuar krejt, për çka do. Ne kemi aplikuar me kohë dhe na janë kërkuar komente shtesë. E tash, dy shtëpitë më të mëdha të futbollit do ta vlerësojnë nëse kishte ndonjë ndërhyrje eventuale, nëse ka ndonjë kërkesë pa bazë nga ky Komision”, deklaroi Hodaj.
Ai shprehet optimist se në fund FFK-ja do të licencohet pasi nuk sheh arsye që një gjë e tillë të mos ndodhë.
“Federatat i licencon Ligji, e jo njerëzit që punojnë aty. Ne e kemi një afat, të cilin do ta respektojmë dhe besoj se gjithçka do të shkojë në rregull, do të licencohemi”, përfundoi Hodaj.
FFK-ja dje e lëshoi një komunikatë, përmes së cilës shpjegoi se ka aplikuar në afatin e paraparë dhe i ka bashkëngjitur me kohë dokumentet e kërkuara nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive.
“Nga ky komision kemi marrë përgjigje për disa dokumente shtesë dhe menjëherë e kemi informuar se do t’i plotësojmë këto dokumente brenda afatit të caktuar. FFK ka kapacitete për t’i plotësuar të gjitha kushtet ligjore të kërkuara me aktet ligjore në Kosovë për rilicencim dhe plotësimin e kërkesave nga rregullativa e UEFA-s e FIFA-s. Në ditë në vijim presim që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë dezinformatave”, shkroi institucioni më i lartë i futbollit në vend.
Komisioni i MKRS-së nuk zmbrapset, ia bën me dije FFK-së se në çfarë rastesh UEFA E FIFA e përjashton një shtet
Sot është publikuar e plotë një shkresë prej 9 faqesh që komisioni i MKRS-së ia ka dërguar FFK-së dhe kryetarit Agim Ademi, i cili në fakt i kishte dërguar paraprakisht letër këtij komisioni.
Komisioni i është përgjigjur Ademit, që kishte paralajmëruar se i gjithë komunikimi mes FFK-së dhe këtij komisioni do të dërgohet në UEFA e FIFA. Komisioni i ka thënë Ademit që ta përcjell në UEFA e FIFA gjithë komunikimin, por e ka lutur që ta dërgojë komunikimin e plotë, pa ndërhyrje, dhe me përmbajtje origjinale.
Në këtë letër, komisioni ia bën me dije Ademit nuk po ndërhyn në autonominë e FFK-së dhe se UEFA e FIFA nuk mund ta përjashtojnë Kosovën shkaku i këtij procesi.
“Ndërlidhur me hipotezën tuaj të pabazuar të ndërhyrjes së KVLFS / MKRS-së në autonominë e FFK-së dhe mundësinë e përjashtimit të FFK-së nga UEFA dhe FIFA, ua bëjmë me dije se bazuar në Statutin e UEFA’s (Edicioni 2021), në kuadër të Nenit 9 – Pezullimi, janë dhënë Arsyet specifike për pezullim, si vijon:
“Një Shoqatë Anëtare mund të pezullohet në veçanti nëse autoritetet shtetërore ndërhyjnë në punët e saj në mënyrë të tillë që:
a) nuk mund të konsiderohet më si plotësisht përgjegjëse për organizimin e çështjeve të lidhura me futbollin në territorin e saj;
b) nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e saj statutore në mënyrën e duhur;
c) mbarëvajtja e garave të organizuara nën kujdesin e saj nuk garantohet më; ose
d) nuk sigurohet më zgjedhja e lirë e organit të saj ekzekutiv ose zgjedhja apo emërimi plotësisht i pavarur i organeve të tjera të saj.
Çdo pezullim do t’i paraqitet Kongresit të ardhshëm për shqyrtim nëse Shoqata Anëtare duhet të përjashtohet ose jo, ose pezullimi të hiqet apo të vazhdojë. Nëse Kongresi nuk e shqyrton çështjen, pezullimi pushon”, thuhej në shkresën e komisionit dërguar FFK-së dhe Agim Ademit.
Për shkak që FFK-ja nuk është licencuar ende, ministria e sportit ua ka ndaluar klubeve të futbollit benefitet që sjell për to Ligji i Sponsorizimeve.
Kjo i ka shtyrë klubet e Superligës që sot ta mbajnë një mbledhje të përbashkët, të shqetësuara me situatën e tyre, pasi druajnë se mund t’i humbasin edhe benefitet tjera që parashihen me ligjet e Kosovës në rast se FFK nuk licencohet.
Ndër kushtet e para që FFK-ja nuk i plotësoi për të marrë licencë ishte mungesa e një certifikate unike nga gjykata që dëshmon se ndaj kreut të saj nuk është duke u zhvilluar procedurë penale.
Komisioni i ministrisë ka identifikuar edhe rastin e Taulant Hodajt, i cili e ushtron detyrën e sekretarit, ndërsa statuti i FFK-së e kërkon një sekretar të përhershëm me mandat katërvjeçar. Po ashtu, FFK i ka paraqitur në komision vetëm 11 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, ndonëse me statut duhet ti ketë 13.
Komisioni ka gjetur se Statuti i FFK-së nuk është plotësisht i harmonizuar mbi baza ligjore me Kodin Etik e Disiplinor të FIFA-s dhe UEFA-s, e po ashtu ka identifikuar edhe probleme tjera në aktet normative të FFK-së.

