Telenews

Gara: Serbia vazhdon të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, hapja e arkivave mbetet thelbësore

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur vlerëson se mungesa e bashkëpunimit nga Serbia vazhdon të jetë pengesa kryesore në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Në një prononcim për IndeksOnline, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se institucionet e Kosovës vazhdojnë bashkëpunimin me mekanizmat përgjegjës për të avancuar procesin e identifikimit të lokacioneve të mundshme të varrezave masive.

“Komisioni vazhdon bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt me mekanizmat përgjegjës për çështjen e personave të zhdukur, me qëllim shkëmbimin e informacioneve dhe avancimin e përpjekjeve për identifikimin e lokacioneve të mundshme të varrezave masive në territorin e Serbisë”, deklaroi Gara.

Ai theksoi se çdo informacion i besueshëm mund të jetë vendimtar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për respektimin e së drejtës së familjarëve për të ditur të vërtetën.

“Çdo informacion i besueshëm mund të ketë rëndësi të veçantë për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, në përpjekjen e vazhdueshme të Komisionit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në respektimin e një të drejte elementare të familjeve, siç është e drejta për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të rrëmbyer dhe zhdukur me forcë gjatë luftës”, tha ai.

Gara akuzoi Serbinë se vazhdon të pengojë procesin e ndriçimit të fatit të të zhdukurve, duke mos ofruar qasje në dokumentacionin relevant dhe duke mos lejuar gërmime të mjaftueshme në territorin e saj.

“Serbia edhe 27 vite pas luftës, vazhdon me politizimin e skajshëm edhe të këtij procesi. Mungesa e qasjes në dokumentacionin relevant dhe bashkëpunimi i pamjaftueshëm i Serbisë edhe në lejimin e gërmimeve në territorin e tyre, vazhdon të jetë sfida dhe pengesa më e madhe në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur. Për këtë arsye, mbetet thelbësore hapja e arkivave të ish-Ushtrisë Jugosllave dhe institucioneve të tjera serbe, në përputhje edhe me zotimet e marra në Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur”, përfundoi Gara.

Të ngajshme

Prokuroria Speciale thërret konferencë për media për operacionin ku u sekuestruan asete me vlerë 1 milion euro

Yllka Gashi

Ibishi: BE-ja duhet të reagojë ndaj ndalimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia

Rrezarta Ramaj

Dhjetëra gjoba ndaj motoristëve në Prishtinë, prishën rendin dhe qetësinë

Rrezarta Ramaj