Një gjykatës federal në SHBA ka bërë publike një letër të dyshuar të vetëvrasjes të Jeffrey Epstein, dokument që deri më tani ishte mbajtur i fshehtë nga publiku.
Letra, e paverifikuar dhe pa datë, u publikua në dosjen gjyqësore të ish-shokut të qelisë së Epstein, Nicholas Tartaglione, i cili pretendon se e kishte gjetur atë pas tentativës së parë për vetëvrasje të Epstein në korrik të vitit 2019.
Në letër shkruhet: “Më hetuan për muaj të tërë – nuk gjetën ASGJË!!!” dhe më tej: “Është privilegj të zgjedhësh kohën për të thënë lamtumirë. Pa argëtim, nuk ia vlen”.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në Manhattan disa javë më vonë, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikut seksual. Mjekësia ligjore e cilësoi vdekjen si vetëvrasje.
Sipas raportimeve të The Neë York Times, letra ishte mbajtur e fshehtë për gati shtatë vite. Departamenti Amerikan i Drejtësisë deklaroi se nuk mund të konfirmojë autenticitetin e dokumentit, por nuk kundërshtoi publikimin e tij, shkruan A2CNN.
Tartaglione pretendon se ai i dha ndihmën e parë Epstein pas tentativës së parë për vetëvrasje dhe se ekspertë të shkrimit të dorës kanë verifikuar letrën.


