Gjyqtari slloven Slavko Vinçiq do të drejtojë finalen e Kupës së Botës midis Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të luhet në stadiumin “MetLife” në New Jersey të dielën në orën 21:00.
Vinçiq do të ndihmohet nga bashkëkombës të tij Tomazh Klançnik dhe Andrazh Kovaçiq, ndërsa jordanezi Adham Makhadmeh do të jetë gjyqtari i katërt. Bashkëkombësi i tij Mohammad Al-Kalaf-it do të jetë gjyqtari ndihmës rezervë.
Disa vjet më parë, ai u arrestua në një operacion nga policia e BiH-së e lidhur me Tijana Maksimoviqin, e njohur më mirë si Tijana Ajfon, e cila dyshohej për organizim prostitucioni dhe shitblerje.
Gjykatësi slloven ishte midis personave të gjetur në një vilë pranë Bjelinës, ku policia arrestoi disa persona. Sipas raportimeve të asaj kohe, në objekt u gjetën armë, kokainë, jelekë antiplumbë, telefona, laptopë dhe para.
Vinçiq më vonë pretendoi se kishte qenë atje rastësisht, pas një takimi pune, dhe se nuk kishte të bënte fare me të arrestuarit.
- Rastësisht ndodhesha në atë fermë. Kam kompaninë time dhe isha në një takim pune. Pranova një ftesë për drekë dhe kjo doli të ishte gabimi im më i madh. Isha ulur në një tavolinë me miqtë, papritmas mbërriti policia dhe ndodhi ajo që ndodhi. Unë nuk kam të bëj fare me grupin që u arrestua dhe u ndalua, dhe as partnerët e mi të biznesit. E gjithë ngjarja u portretizua shumë dramatikisht. Ne nuk kishim të bënim fare me të. Nuk kishte orgji, nuk pashë asnjë armë. Ishim ulur si grup kur policia, rreth orës tetë të mbrëmjes, hyri me forcë – tha Vinçiq për mediat sllovene.
Incidenti nuk e dëmtoi karrierën e tij si arbitër. Ai vazhdoi të arbitronte ndeshjet më të mëdha evropiane dhe tani ka marrë nderimin më të lartë të mundshëm në futbollin botëror.

