Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, banesa, institucione e objekte të ndryshme, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në Pejë, por këtë herë hajnat kanë pasur cak Hamam Xhaminë, që ndodhet në rrugën “Lidhja e Prizrenit.
Sinjali mëson se vjedhja është kryer mëngjesin e sotëm, kur dikush kishte depërtuar me forcë brenda objektit, prej ku kanë vjedhur rreth 100 maica ‘Adidas’, disa pajisje e një shumë të të hollave. Rasti është denoncuar nga përgjegjësi i objektit, i cili raportoi në detaje se si e gjeti dritaren e thyer.
Bazuar në dëshminë e tij, të dyshuarit kanë hyrë përmes një dritareje të cilën e kanë thyer dhe kanë arritur të kryejnë vjedhjen, e të largohen pa lënë ndonjë gjurmë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

