Telenews

Hoti: Më kërkuan 400 mijë euro, duke pretenduar se Ukshin Hoti është gjallë

Andin Hoti tregon se përveç dhimbjes që kanë familjarët e të pagjeturve, ata ballafaqohen edhe më mashtrime të ndryshme, madje jo vetëm dikur por edhe tani. Sipas tij, ka pasur raste kur ata shesin gjithçka në kërkim të tyre.

“Kemi informacione se ka familjarë të personave të zhdukur që kanë shitur dhe tokë e gjithë pasurinë, dhe i kanë dorëzuar paratë në Serbi, për t’i gjetur të dashurit e tyre”, thotë Hoti në “RTK Prime”.

Ai deklaron se raste të tilla nuk është se kanë ndodhur para 20 vitesh. “Ka ndodhur tash, në tre apo katër vitet e fundit”, thotë Hoti.

“Ka familjarë të tjerë, e këtë e kam dëgjuar me veshët e mi ku pretendojnë se më i dashuri i tyre, i ka thirrur në telefon dhe u ka kërkuar shuma të parave e ata i kanë shitur të gjitha”

Ai thotë se të gjitha këto para i kanë dhënë në Serbi. “Natyrisht se të gjitha janë mashtrime”.

Hoti apeloi tek familjarët e të pagjeturve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Hoti kërkon që familjarët e të pagjeturve, kur bien në kontakte të tilla, t’i njoftojnë institucionet përkatëse të Kosovës.

“Ka shumë grupe të ndryshme serbësh që mashtrojnë, e që janë kryesisht nga Beogradi”. Ai deklaron se i kupton familjarët e të pagjeturve, por kërkon që të mos bien pre e emocioneve.

“Nuk di ndonjë familjar që ka marrë informacion në formë të tillë edhe është zbardhur fati i të pagjeturit”.

Krejt këto raste, Hoti i ilustroi edhe me ngjarjen që i ka ndodhur vetë atij.

“Para disa ditësh kam marrë informacione nga një person që e quante vetën hacker dhe që thoshte se e di ku është Ukshin Hoti”, rrëfen Hoti.

“Ai kërkonte një vlerë të madhe parash në formë të Bitcoin”, tregon ai, duke shpjeguar se edhe më herët kishte një rast tjetër kur ia kërkonin 400 mijë euro për t’i treguar se ku është Ukshin Hoti. “Po, mua personalisht më kanë kontaktuar në Messenger”.

Sipas tij, ky hackeri i ka thënë se ka arritur të hyjë në dokumentacionet e shtetit të Serbisë dhe se sipas tij, ata janë hackerë nga një vend tjetër.

“Komunikimi ishte në anglisht dhe na thoshte na dërgoni kaq të holla sepse do t’u japim informacione të klasifikuara”, tha Hoti, duke sqaruar se tashmë është mësuar me gjëra të tilla. “Ajo që dua të them është se jam mësuar dhe e di se si funksionojnë këto grupe”.

Duke folur pastaj për rastin tjetër kur i janë kërkuar 400 mijë euro, Hoti tregon se kjo ka ndodhur një javë pasi në RTK ishte transmetuar në emisionin hulumtues “Udhëve”, për disa dokumentacione sipas të cilave, Ukshin Hoti është i vrarë dhe i varrosur.

 

Të ngajshme

Pse të moshuarit zgjohen herët?

Rrezarta Ramaj

Rama rreth kandidaturës për kryetar të LDK-së: Kemi demokraci, zgjedhje demokratike

Rrezarta Ramaj

“Kosova e dyta në Evropë”, APK me sukses në inovacionin anti-korrupsion

Rrezarta Ramaj