Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Shtime, ku një grua 46-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas tij, rreth orës 18:50, Policia e Kosovës ka pranuar një njoftim se një grua kishte rënë nga kati i tretë i një ndërtese në rrugën “12 Qershori” në Shtime. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të cilat kanë gjetur 46-vjeçaren të lënduar rëndë.
Pak më vonë ka arritur edhe ekipi i emergjencës, i cili e ka transportuar viktimën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime për trajtim mjekësor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 19:20 është konfirmuar se ajo nuk u ka mbijetuar plagëve të marra.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale. Bazuar në të dhënat fillestare, rrethojat metalike të ballkonit janë këputur, duke bërë që 46-vjeçarja të bjerë nga lartësia bashkë me to.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet hetimore dhe krimteknikët rajonalë, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Me urdhër të tij, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

