Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ndërprerjes së energjisë elektrike gjatë mbajtjes së një testi me studentët e nivelit master në Fakultetin Ekonomik.
Ajo ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:10, më 18 nëntor, kur papritur është ndërprerë energjia elektrike.
Sipas saj, pasi studentëve paraprakisht ua kishte marrë telefonat, ata propozuan që telefonat të shpërndaheshin në mënyrë të rastësishme, në mënyrë që secili të përdorte telefonin e një kolegu vetëm për ndriçim, pa e zhbllokuar atë. Në këtë mënyrë, testi vazhdoi.
Bajrami e ka shoqëruar rrëfimin me një fotografi nga salla e testimit, duke ironizuar gjendjen me furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Ajo ka kërkuar që Qeveria të paraqesë urgjentisht në Kuvend një plan konkret për krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë.
“Vetëm prodhimi vendor na shpëton nga kriza”, ka shkruar Bajrami, duke paralajmëruar se mungesa e investimeve në këtë sektor mund të sjellë vështirësi edhe më të mëdha për qytetarët, për shkak të faturave të energjisë dhe reduktimeve.

