Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pritet të qëndrojë në Kosovë për katër ditë.
Kështu të paktën thuhet sipas burimeve të gazetarës së Klan Kosovës Endrita Bajrami, brenda policisë, duke bërë të ditur se qëndrimi i Krasniqit në vendlindje do të vazhdojë për këtë periudhë kohore, përveç nëse ndodh diçka e papritur që do të çonte në ndërprerjen e vizitës së tij.
Sinjali ka kontaktuar ne policinë për të marrë ndonjë informacion lidhur me këtë zhvillim, por ende nuk ka pranuar ndonjë informacion zyrtar.
Krasniqi mbërriti në orët e paradites së sotme në shtëpinë e tij në lagjen Velani në Prishtinë, nën përcjellje të rreptë të forcave të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it.
Vizita e tij në Kosovë, sipas njoftimit zyrtar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është lejuar “për arsye humanitare bindëse”, pas gjendjes shëndetësorë të bashkëshortes së tij, Sevdijes.
Pas rreth gjashtë orësh qëndrimi në shtëpi pranë familjarëve të tij, Krasniqit iu desh të largohej për t’u kthyer në hapësirat e EULEX-it, ku supozohet se do t’i kalojë netët gjatë kësaj vizite.
Kjo shënon vizitën e dytë të Krasniqit në Kosovë prej arrestimit të tij në nëntor të vitit 2020. Herën e parë, ai kishte ardhur në vendlindje më 10 tetor 2024, pas vdekjes së vëllait të tij.

