Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka uruar futbollin kosovar me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit në organizatën më të madhe të futbollit botëror.
Në një postim në rrjetin social Instagram, Infantino ka vlerësuar zhvillimin e futbollit në Kosovë gjatë dekadës së fundit, duke theksuar ndikimin pozitiv që ky sport ka pasur te të rinjtë dhe tifozët.
“Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka uruar Federatën e Futbollit të Kosovës me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit në shtëpinë e futbollit botëror. Në një postim të publikuar në profilin e tij në Instagram, Infantino vlerësoi progresin e futbollit kosovar gjatë dekadës së fundit, duke theksuar rritjen dhe ndikimin pozitiv që futbolli ka pasur te gjeneratat e reja dhe tifozët në vend. ‘Përgëzime Federatës së Futbollit të Kosovës për kremtimin e 10 viteve si federatë anëtare e FIFA-s. Gjatë dekadës së kaluar, futbolli në Kosovë ka vazhduar të rritet dhe të frymëzojë shumë lojtarë të rinj dhe tifozë’, ka shkruar Infantino.
Ai po ashtu theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të FIFA-s për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke kujtuar kontributin e ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, si dhe punën e presidentit aktual Agim Ademi.
‘FIFA mbetet e përkushtuar në mbështetjen e zhvillimit të lojës në Kosovë, i cili fillimisht u mbikëqyr nën udhëheqjen e Fadil Vokrrit dhe vazhdon edhe sot nga Agim Ademi dhe ekipi i tij’, thuhet më tej në mesazhin e presidentit të FIFA-s”, ka komunikuar FFK.
Kosova ishte pranuar zyrtarisht në FIFA më 13 maj të vitit 2016.

