Telenews

Klubet në ankth, Ademi kërkon licencimin e FFK-së brenda vitit, Çeku: Jemi në procedurë

Licencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës po del të jetë një problem mjaft serioz në këtë proces të nisur në fillim të këtij viti nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

FFK ka dërguar tashmë dokumentacionin e kërkuar nga MKRS-ja për licencim, por këta të fundit kanë kërkuar dokumentacion shtesë për ta dëshmuar të gjithë rregullativën brenda kësaj federate, në mënyrë që të lëshohet licenca e re.

Moslicencimi i FFK-së ka ngritur shqetësim serioz tek klubet kosovare të futbollit, pas në një rast të tillë, ato nuk do të gëzonin mbështetje financiare, e as zhvillimin e garave vendore e ndërkombëtare.

Por, për t’i qetësuar klubet është përkujdesur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili është shprehur i bindur se federata që e drejton do të licencohet. Ai madje ka bërë thirrje tek të gjitha institucionet që “të kenë kujdes kur bëhet fjalë për FFK-në”.

“Nuk ka asnjë frikë dhe nuk ka asnjë dyshim që Federata e Futbollit do të licencohet për faktin se të gjitha kërkesat i kemi plotësuar. Mund të ketë diçka teknike që është në rrugë e sipër, por asnjë frikë mos ta kenë as klubet dhe askush sepse Federata e Futbollit sigurisht se do të licencohet. Është federata më masive, më e rregullt. Kemi dëshirë ne normalisht që të respektojmë ligjin, duhet normat të respektohen, por gjithsesi duhet pasur kujdes me Federatën e Futbollit, duhet pasur kujdes për faktin që ne licencimin kryesor si Federatë e Futbollit të Kosovës e kemi me UEFA-në dhe FIFA”, tha Ademi.

Që Federata e Futbollit është në procedurë të licencimit dhe se ende nuk është marrë asnjë vendim për këtë çështje, e ka thënë ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, i cili deklaroi se nuk ka diçka të jashtëzakonshme me FFK-në, sepse sipas tij, kjo federatë i ka plotësuar pjesën dërmuese të kritereve.

“Federata më e madhe, ajo e Futbollit është në procedurë edhe ajo i ka plotësuar pjesën dërmuese të kritereve, janë edhe disa sqarime, verifikime duke u bërë dhe kjo është procedurë e zakonshme. Asnjë federatë nuk është licencuar me të parën… Pra, asgjë e jashtëzakonshme, nuk do të ketë pengesa nga ana jonë, përkundrazi do të ketë mbështetje për federatat… Pra ne duam licencim, nuk do të ketë vendim për refuzim të kërkesës për licencim asnjëherë pasi edhe ne bartim një pjesë të përgjegjësisë nëse dikush nuk e merr licencën sa më shpejtë, por do të jetë çështje kohe”, ka thënë i pari i MKRS-së.

Për më tepër, Agim Ademi ka folur edhe për mundësinë që dikush të ketë dëshirë që Federata e Futbollit të mos licencohet, por ai ka paralajmëruar se prekja e këtij institucioni të pavarur do të sillte pasoja të rënda. Ai ka kërkuar që FFK të licencohet brenda këtij viti.

“Po, sigurisht duhet (të licencohet brenda vitit). Komisioni tani i bënë punët e veta sepse ka dokumente voluminoze në Federatë të Futbollit dhe sigurisht do t’i marrë kohë më së shumti për vetë faktin janë pothuajse 15 dosje të plota të cilat i kemi dërguar në licencim… E ka keqkuptuar dikush çështjen e licencimit ose e ka devijuar me arsye ose pa arsye sepse asnjëherë nuk ka pasur ndonjë rast që mundohet mos ta licencojë. Ndoshta ka dikush dëshirë mos të licencohet federata, nuk e di pse arsyet, por duhet ta ndajmë çështjen personale të personit dhe çështjen institucionale. Federata e Futbollit është sjellë me shumë mund këtu… Është një mori, një mal, një lum njerëzish prapa dhe duhet ta dish që prek shumë njerëz në futboll nëse dikush mendon për një arsye për një dëshirë, për një interes”, ka thënë Ademi.

Një vendim përfundimtar në lidhje me këtë proces që prek direkt Federatën e Futbollit të Kosovës pritet që të merret së shpejti, madje duhet të ndodh, sipas afateve, para përfundimit të vitit 2022.

Të ngajshme

Përfundon hetimi për vdekjen e Diogo Jotas

Valjeta Turkaj

Yamal mposht Vedat Muriqin në garën për lojtarin e muajit në La Liga

KushtrimGuraj

Jashari pritet të largohet nga Milani por jo nga Italia

Rrezarta Ramaj