Telenews

Kremlini thotë se e ka pranuar kërkimfaljen e Vuçiqit për mbështetjen e rezolutës së OKB-së

Rusia ka thënë se e ka pranuar kërkimfaljen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi udhëheqësi serb deklaroi se si pasojë e një “gabimi teknik” u dha një “votë e gabuar” për një rezolutë për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Reagimi i shpejtë rreth votimit aksidental të vendit të tij në favor të një rezolute antiruse në OKB e ka gëzuar Moskën”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media, më 25 shkurt, raporton agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Peskov ka theksuar se Rusia e kupton se ky ishte “një gabim i vërtetë”.

“Gabimet teknike ndodhin”, ka shtuar ai.

Të hënën, më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një projektrezolutë ukrainase-evropiane në përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës, duke riafirmuar mbështetjen për Ukrainën dhe për integritetin e saj territoria.

Serbia votoi në favor të miratimit të tekstit të rezolutës.

Vuçiq tha më pas se delegacioni serb kishte votuar “gabimisht” për rezolutën, dhe se duhej të kishte abstenuar, raporton REL.

Ai u kërkoi falje qytetarëve të vendit të tij, dhe tha se “e bart vetë përgjegjësinë për këtë”.

Serbia, bashkë me Turqinë, është vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk i është bashkuar sanksioneve të Brukselit kundër Rusisë.

Të ngajshme

Më shumë se 300 të vrarë, përfshirë shumë fëmijë – pas sulmeve ajrore të gjera izraelite në Gaza

Valjeta Turkaj

Dy astronautë të ngecur në hapësirë ​​për më shumë se nëntë muaj kthehen në Tokë

Valjeta Turkaj

Kryeministri britanik i gatshëm të dërgojë trupa britanike në Ukrainë për një kohë të pacaktuar

Donat Hashani