“Qasja strategjike nga Qeveria e Kosovës përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja është ndërtuar mbi bazën e dy qëllimeve fillestare: e para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes në çdo çështje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut. Qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së problemeve ekzistuese (atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në qeveri). E dyta, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë”, ka thënë Kurti në seancën e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar në lidhje me zhvillimet për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Tutje, Kurti tha se si rezultat i qasjes së tyre fillestare dhe kujdesit ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell për herë të parë në më shumë se 12 vjet dialog “pranoi ta bëjë hapin e madh atë të ftesës së datës 18 gusht 2022 ku e kornizoi takiminn e nivelit të lartë mbi dy pika qendrore”.
Kurti tha që gjatë atij takimi ia kishte bërë të qartë Borrellit dhe Vuçiqit se Kosova s’pranon dialog pa marrëveshje finale me njohje.

