Qytetarët na kanë besuar neve që ta bëjëmë ndryshimin. Ky vit ishte vit i kthesës drejt zhvillimit.
Kështu ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë, ku 365 ditët e para të qeverisjes, ai i ka cilësuar si ditë të vitit të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve.
“Përafërsisht në këtë orë, para një viti më 22 mars 2021, ne morëm detyrën e re. Qytetarët në vitin e kaluar, votuan për riorientimin demokratik dhe evropian të shoqërisë sonë. Votuan për luftën ndaj korrupsionit institucional dhe financiar; për kthimin e virtyteve në institucione që shpërndajnë barazi e drejtësi; votuan për kthimin e aftësisë në borde që administrojnë burimet ekonomike dhe njerëzore”, tha Kurti.
“Vota e qytetarëve të republikës aneambanë vendin tonë, u bë edhe votë në kuvendin e Republikës për qeverinë dhe këtë e kemi bërë ne në një vit të punës ku gjatë këtyre 365 ditëve kishim gjithsej 67 mbledhje të qeverisë, e ku morëm 581 vendime e sot i tejkalojmë 600 sosh. Proceduam 128 projektligje ku sot i kalojmë edhe 130 më shumë sesa çdo qeveri tjetër paraprake, në vitin e parë të saj”.
Tutje Kurti tha se viti i parë i qeverisjes së tij është përshkruar me navigim në kriza botërore, duke përmendur pandeminë e COVID-19.
“Përgjatë një viti kemi aviguar nëpër kriza botërore, të cilat kanë testuar jo vetëm aftësinë tonë qeverisëse, por edhe qëndrueshmërinë tonë shoqërore”.