Liridon Restelica ka reaguar pasi që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ai u shkarkua nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, duke thënë se ai në fakt ka dhënë dorëheqje me datën 19 gusht.
Rama në një status në Facebook ka thënë se Restelica është shkarkuar pas një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie, por Restelica thotë se dorëheqja e tij ishte e parevokueshme.
“Reagim dhe sqarim rreth dorëheqjes nga Prishtina Parking Ashtu si e do rregulli, njoftimi për dorëheqje, shkarkim apo te ngjashme, së pari i bëhet personit për kënd i drejtohet apo organit që të ka zgjedhur, e tek pastaj mediave dhe palëve të interesuara. Unë kam dhënë dorëheqje me datë 19 gusht 2022, ditë e premte, të njejtën e kam protokoluar pranë zyrës përkatëse të kompanisë ku kam kryer funksionin. Arsyet e dorëheqjes veqse janë të theksuara ne akt-dorëheqjen”, shkruan ai.
Ai tutje shton se do të shikojë rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit të tij dhe kolegëve në Prishtina Parking dhe thtoë se ka punuar me nder e përgjegjësi.
“Sot, u trumbetua nëpër media për kinse shkarkimin tim në orët e vona të mbrëmjes. Nuk kanë pasur nevojë për rrokada të tilla pasi dorëheqja ime ishte e parevokueshme. Për të ruajtur reputacionin dhe dinjëtetin tim, do të shikoj mundësitë ligjore për mbrojtjen e reputacionit tim dhe kolegëve të ndërmarrjes publike komunale Prishtina Parking ku kam punuar me nder dhe përgjegjësi deri më tani”, shtoi Restelica.

