Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Manchester Cityt në kuadër të javës së 13-të në elitën e futbollit anglez.
Që nga minuta e parë të besuarit e Arne Slot treguan më shumë përpjekje për të kaluar në avantazh duke ushtruar presion në tërë fushën.
Rasti i parë serioz në këtë takim shkoi për Dominik Szoboszlai i cili në minutën e 11-të bëri një gjuajtje të fuqishme e cila u prit nga Stefan Ortega.
Një tjetër rast shumë i mirë për gol erdhi vetëm një minutë më vonë, kur Virgil Van Dijk (12’) u ndal nga shtylla.
Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, më në fund puna e palodhshme e lojtarëve të Liverpoolit u shpërblye me gol.
Ishte Cody Gakpo ai i cili shënoi në minutën e 13-të në portën e boshatisur për rezultatin 1-0 pas asistimit të Mohamed Salah.
Dominimi i Liverpoolit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku ata arritën që eventualisht të shënojnë edhe golin e dytë.
Fillimisht Mohamed Salah pati dy raste shumë të mira shënimi në minutën e 56-të dhe në minutën e 64-të respektivisht, por nuk ia doli të shënojë.
Reprezentuesi egjiptian golin e gjeti në minutën e 78-të kur u tregua i saktë nga penalltia për rezultatin 2-0.