Telenews

Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci

mali-i-zi-thote-se-nuk-u-ftua-ne-nismen-per-bashkepunim-ushtarak-kosove-shqiperi-kroaci

Mali i Zi nuk është ftuar që të bëhet pjesë e deklaratës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e cila u nënshkrua më 18 mars në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë (REL) Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, ata “nuk janë në dijeni” që Malit të Zi i është ofruar të nënshkruajë këtë deklaratë.

Deklarata ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje për ruajtjen e paqes, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, veprimet për luftimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike, sipas Ministrisë kroate të Mbrojtjes.

Përveç se kufizohet me të tria vendet nënshkruese, Mali i Zi është anëtar i NATO-s, njësoj si Kroacia dhe Shqipëria.

Nënshkruesit e deklaratës kanë theksuar se mbetet e hapur mundësia që kësaj nisme t’i bashkohen edhe vende të tjera.

E pyetur nga REL nëse do t’i bashkohet deklaratës, Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë.

Në përgjigje u theksua se do të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, duke promovuar vizionin euroatlantik për Ballkanin Perëndimor.

“Si anëtar i NATO-s, theksojmë rolin e forcave të NATO-s në Kosovë [KFOR-it], si faktor i rëndësishëm që kontribuon në ruajtjen e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt, dhe ndaj mandatit të të cilit kontribuon edhe Mali i Zi, gjë që do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

As Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë nuk ka komentuar për pyetjen nëse Mali i Zi do të mund t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje ushtarake. Po ashtu, as NATO-ja nuk komentoi.

“Nuk ishte e pritshme që në këtë situatë, Kroacia të ftonte Malin e Zi të bashkohej me deklaratën, gjë që nuk do të thotë se kjo nuk mund të ndodhë nëse përmirësohen marrëdhëniet bilaterale”, tha për REL-in ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samarxhiq.

Marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Malit të Zi u përkeqësuan pas miratimit të Rezolutës për Jasenovcin në Parlamentin malazez, në qershor të vitit 2024.

Një muaj më vonë, Kroacia shpalli person të padëshirueshëm, Andrija Mandiqin, kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Milan Knezheviqin, deputet, dhe Aleksa Beçiqin, zëvendëskryeministër, për shkak të asaj që u cilësua si “veprim i qëllimshëm për prishjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kroacinë”.

Në dhjetor 2024, Kroacia bllokoi mbylljen e një kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, që lidhej me politikën e jashtme të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Edhe nëse do të ishte ftuar të bashkohej me deklaratën për bashkëpunim të mbrojtjes, Samarxhiq mendon se Qeveria e Malit të Zi nuk do të kishte pasur fuqinë politike për të dhënë një përgjigje pozitive.

“Qeveria aktuale e Malit të Zi po mban një balancë mes rrugës euroatlantike dhe përplasjeve të brendshme politike, gjë që mund të ndikojë në qëndrimin e saj ndaj nismave të tilla”, tha Samarxhiq.

Në Qeverinë në Podgoricë ka dy zëvendëskryeministra dhe tre ministra nga ish-Fronti Demokratik prorus, i cili është shpërbërë kohët e fundit, parti e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Lideri i këtij fronti, Andrija Mandiq, është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

Ata janë pjesë e shumicës qeverisëse që nga viti 2020, kur u rrëzua nga pushteti Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, gjatë qeverisjes të të cilit, Mali i Zi u pranua në NATO.

A e ka shkelur deklarata marrëveshjen e vitit 1996?
Ndryshe nga Mali i Zi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se me nënshkrimin e deklaratës në fushën e mbrojtjes, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armatimi në rajon dhe kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.

Kjo marrëveshje, që ka të bëjë me kuotat e lejuara të armatimit, u nënshkrua në atë kohë nga të dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës, Federata dhe Republika Sërpska, Kroacia dhe Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi.

Samarxhiq, i cili ka marrë pjesë drejtpërdrejt në zbatimin e saj për shumë vite, vlerësoi se deklarata nuk ka shkelur asnjë nen të kësaj marrëveshjeje.

“Gjatë zbatimit shumëvjeçar të kësaj marrëveshjeje nuk ka pasur raste të shkeljes. Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova nuk janë pjesë e këtij dokumenti. Pra, nuk shoh ndonjë lidhje shkak-pasojë midis këtyre dy marrëveshjeve”, theksoi Samarxhiq.

Në reagim ndaj deklaratave të Vuçiqit se deklarata ka hapur garë armatimi në rajon dhe se është i bindur që NATO-ja nuk është informuar për të, kanë reaguar zyrtarë nga Kroacia.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, i hodhi poshtë vlerësimet e Vuçiqit, duke thënë se vendet nënshkruese e kanë ndërmarrë këtë hap mbi bazën e vendimeve të tyre, “për të cilat nuk duhet të kërkojnë leje nga askush, as nga Serbia dhe as nga NATO-ja”.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe që nga viti 2011 negocion me Prishtinën për normalizim të raporteve, proces që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Matje forcash mes Kroacisë dhe Serbisë
Që ky zhvillim dhe shumë të tjera në rajon lidhen me marrëdhëniet serbo-kroate dhe matjen e ndikimit të tyre, vlerëson për REL-in analisti ushtarak nga Beogradi, Aleksandar Radiq.

Ai tha se veprimi i Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është thelbësisht i drejtuar kundër interesave serbe:

“Mendoj se në Zagreb, edhe pse askush nuk do ta pranojë zyrtarisht, e shohin faktorin shqiptar si një mjet presioni ndaj Serbisë”.

Nga ana tjetër, shtoi Radiq, Vuçiq është në një krizë të thellë politike për shkak të protestave masive në Serbi:

“Vuçiqit i duhet tani të krijojë përshtypjen se serbët janë të kërcënuar, se ai është ai që mbron çështjen serbe nga presioni ndërkombëtar. Dhe sigurisht që nga ai mund të dëgjojmë vetëm kritika për marrëveshjen”.

Radiq gjithashtu tha se beson që deklarata nuk do të ketë pasoja të thella në fushën e mbrojtjes në rajon.

Sipas tij, Kroacia, përmes saj, arriti bashkëpunim me popullin shqiptar në dy territore.

Ai mendon se për Shqipërinë është më e rëndësishme bashkëpunimi me Turqinë, që do të ndikojë në rrugën e saj të mëtejshme.

Deklarata, shton ai, për Kosovën është e rëndësishme si forcim i marrëdhënieve me vendet e NATO-s, derisa t’i ofrohet mundësia për t’u bërë pjesë e Programit për Partneritet për Paqe të aleancës.

“Por, natyrisht që në Beograd nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë shihet si diçka provokuese dhe do të ketë pakënaqësi, por asgjë më shumë se kaq”, theksoi Radiq.

Përveç Vuçiqit, reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, duke e cilësuar deklaratën si “provokim të hapur dhe injorim të rëndë të realitetit në terren”.

Në përgjigje, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anjushiq, tha se “ka kaluar koha kur Kroacia pyeste Beogradin se çfarë të bënte dhe si të vepronte”.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) vlerësoi se kundërshtimi i Serbisë ndaj kësaj nisme është “shkelje e hapur e marrëveshjeve të Brukselit”.

Sipas këtyre marrëveshjeve, tha MPJD, parashihet që Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të saj në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera./REL

The post Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.

Të ngajshme

Aktakuza ndaj Radojçiqit dhe të tjerëve përmendet në Raportin e DASH-it

Donat Hashani

Moti për sot në Kosovë

Donat Hashani

Ngjarjet kryesore për sot në Kosovë

Donat Hashani