Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka bërë të ditur se partia është në fazën e përgatitjeve teknike për thirrjen e Kuvendit, duke theksuar se aktualisht po verifikohen nënshkrimet dhe delegatët.
Sipas tij, procedurat janë duke u zhvilluar me ritëm të shpejtë, pasi ekziston nevoja që Kuvendi të mbahet sa më parë.
“Siç e dini është çështje e procedurës. Është dorëzuar kërkesa dhe janë duke u kryer të gjitha punët edhe teknike për thirrjen e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Manaj.
Ai shtoi se për shkak të zhvillimeve të fundit politike, mbajtja e Kuvendit konsiderohet urgjente.
“Mendojmë që është me urgjencë, prandaj punët janë duke u kryer shpejt në mënyrë që të verifikohet kërkesa, të verifikohen delegatët dhe të bëhen të gjitha përgatitjet për Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh ai.
Megjithatë, Manaj tha se është e vështirë që Kuvendi të mbahet brenda kësaj jave, pasi duhet të përfundojnë procedurat organizative dhe të njoftohen të gjithë delegatët.
“Besoj që brenda javës është problem, sepse duhet të bëhen përgatitjet dhe t’u dërgohen ftesat të gjithë delegatëve të Kuvendit”, tha ai.
I pyetur për raportimet lidhur me një marrëveshje të mundshme ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Manaj mohoi se një dakordim i tillë ka ekzistuar.
“Nuk ka pasur marrëveshje dhe nuk ka qenë ajo marrëveshje që është prezantuar në media”, deklaroi ai.
Manaj sqaroi gjithashtu se takimet që po zhvillohen në selinë e LDK-së nuk janë mbledhje të organeve të partisë, por takime pune që lidhen me organizimin e Kuvendit.
“Nuk është takim i organeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Janë takime punuese të thirrura nga sekretari i përgjithshëm i LDK-së, në kuadër të përgatitjeve për thirrjen e Kuvendit”, përfundoi Manaj.

