Ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos” është duke kaluar nëpër një situatë të paprecedent.
Nga mesi i prillit, ndërmarrja është me ushtrues detyre, teksa bordi i saj vazhdon të jetë i pakompletuar.
Ka 4 muaj që ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv është Raif Vitija, teksa ngrohtores i kanë mbetur edhe dy muaj deri në fillimin e punës për sezonin dimëror.
Përveç mungesës së balancit në aspektin e brendshëm, ndërmarrja ka vënë në rrezik edhe një fond të jashtëzakonshëm nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW.
Sipas KfW-së, “Termokosi” është duke pasur probleme me 159 nënstacione të pakontrolluara, bashkë me impiantin e de-gazifikimit, i cili është jofunksional.
Në letrën që KfW-ja i ka dërguar “Termokosit” është shprehur edhe shqetësimi mbi vonesat për sigurimin e tokës dhe lejeve.
Këto vërejtje kanë rrezikuar ndihmën prej 87 milionë eurove, që ishte supozuar të avancojë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes.
Madje, KfW-ja ka paralajmëruar ngrohtoren se edhe mund të ndërprejë mbështetjen.
Shqetësime ka ngritur edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Murati ka thënë se qeverisë i është dashur të bëjë përpjekje të mëdha për të siguruar financimin e këtij projekti, përfitues të të cilit janë banorët e Prishtinës. Sipas tij, pjesa më e madhe e financimit është grant, falë mbështetjes së Qeverisë së Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian.
Ai e ka konsideruar të papranueshme që projekti të vihet në rrezik për shkak të, siç ka thënë, keqmenaxhimit të ndërmarrjes “Termokos” nga Komuna e Prishtinës.
Marrëveshja ishte nënshkruar më 11 dhjetor të 2023-s dhe parashihte ndërtimin e ngrohtores diellore.
Projekti kishte paraparë lidhjen edhe të 38 mijë qytetarëve në rrjetin e “Termokosit”, bashkë me zvogëlimin e varësisë nga qymyri.

