Telenews

“Mesazh sarkastik apo revolucionar”, çfarë fshihet pas pamfletit me imazhin e Vuçiqit në veri?

“Marrëzi, mashtrim e popullit, asgjë më shumë”.

Me këto fjalë Sasha nga Mitrovica e Veriut i ka komentuar për Radion Evropa e Lirë pamfletet me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me mbishkrimin: “Komandant Suprem, ju presim”.

Vuçiq, si president i Serbisë, konsiderohet komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë. Është në kompetencën e presidentit të komandojë ushtrinë, por edhe të emërojë, avancojë dhe shkarkojë oficerët e Forcave të Armatosura Serbe.

Përveç në Mitrovicën e Veriut, këto pamflete u shfaqën gjatë fundjavës edhe në tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Edhe pse Prokuroria e Kosovës ka nisur hetimet për këtë rast për “nxitje të urrejtjes”, Policia e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush qëndron prapa atij akti dhe se hetimet janë duke vazhduar porse nuk mund të japë më shumë detaje.

“Më lejoni t’ju them, le të ketë paqe. Nuk kam koment për postera të ngjitur”, thotë Vladani, një tjetër qytetar i Mitrovicës së Veriut.

Nga ana tjetër, për Branislavin, ngjitja e re e pamfleteve po e “shkatërron qytetin”.

Igori beson se pamfletet e reja me imazhin e presidentit të Serbisë mund të shihen në dy mënyra: si mesazh sarkastik për situatën aktuale ose si ‘thirrje për revolucion’.

“Sikur diçka vendimtare do të ndodhë tani… Nuk kam ndonjë mendim personal, më besoni”, thotë ai.

Sërxhan Simonoviq nga organizata joqeveritare “Humani Centar Mitrovica”, e cila merret me çështjet e sigurisë, nuk e përjashton mundësinë që pamfleti të jetë shprehje e satirës.

Në anën tjetër, Aleksandar Popov, kryetar i Qendrës joqeveritare për Rajonalizëm, thekson se imazhi i presidentit të Serbisë me mesazhin “Komandant, ju presim” është shfaqur në veri të Kosovës në kohën kur Serbia kërcënohet edhe një herë nga protesta masive mjedisore për shkak të minierave të litiumit.

Prandaj, ai beson se qëllimi i atyre pamfleteve është që të “fusin nën qilim” temat aktuale në Serbi, të cilat mund të jenë negative për pushtetin aktual, duke e vënë në plan të parë situatën e sigurisë në Kosovë.

Të ngajshme

Gara për Topin e Artë, Rodri sposton yjet e Real Madrid-it

Erzana Fazliu

Bashkatdhetarë të shumtë kanë nisur të vijnë për pushime në Kosovë, kjo është gjendja në pikat kufitare

Erzana Fazliu

Qeveria thotë se do t’i dërgojë me kohë komentet mbi planin e zbatimit të Marrëveshjeve

Erzana Fazliu