Ministria e Punëve të Jashtme, e ka lejuar vizitën e drejtorit të Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në Kosovë, por që i njëjti të mos e përdorë gjuhën e urrejtjes.
Kështu ka bërë të ditur për RTV Dukagjinin, MPJD, duke bërë të ditur se të dielën e 24 prillit, Petkoviq do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
“MPJD ka lejuar vizitën e Petar Petkoviqit, me kushtin që i njëjti nuk do të përdor gjuhë të urrejtjes”, kanë deklaruar nga MPJD.
Ndryshe, Petkoviqit, vitin e kaluar i ishte ndaluar hyrja në Kosovë gjashtë herë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte bërë thirrje që Prishtina dhe Beogradi t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne presim që Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare. Vizitat zyrtare janë një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve pasi ofrojnë një mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim mes palëve”, kishte thënë Stano.
Ndërkaq, më 21 prill ka përfunduar takimi në Bruskel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave dhe zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.
Kryenegociatori i Kosovës, zv.kryeministri i Kosovës dhe i ngarkuari me dialog, Besnik Bislimi, në një konferencë për media tha se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje pasi, sipas tij, ka zero gatishmëri nga pala serbe për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

”Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, deklaroi Bislimi.
Deklaratat e Bislimit kanë ardhur pasi ai është takuar me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.