Policia e Kosovës ka rritur sigurinë e presidentes Vjosa Osmani dhe familjes së saj. Familjes së Presidentes Vjosa Osmani, – pak ditë pasi të njëjtit janë zhvendosur në shtëpinë e re, në një lagje luksoze në periferi të kryeqytetit – po ruhen 24 orë nga pjesëtarë të Njësisë për Reagim të Shpejt të Policisë së Kosovës.
Gazeta ka marrë vesh nga burime brenda autoriteteve të sigurisë, se tash e disa ditë, pjesëtarë të kësaj njësie speciale të Policisë së Kosovës vazhdimisht po kujdesen për sigurinë e Osmanit dhe familjes së saj.
Veç policëve të Njësisë për Reagim të Shpejtë, gazeta gjatë vëzhgimit të informacionit, ka parë se për sigurinë e shtëpisë së re të familjes së shefes së shtetit po përkujdesen edhe pjesëtarë të njësisë për sigurimin e objekteve.
Ndërkohë që nga Presidenca kanë mohuar të premten se ka rritje të nivelit të sigurisë për shefen e shtetit. Jo zyrtarisht, kanë lënë të kuptohet se niveli i njëjtë i sigurisë policore ndaj familjes së Osmanit ka qenë edhe në vendbanimin e mëparshëm të të parës së vendit.
Nga ana tjetër, nga Policia e Kosovës, deri në publikimin e artikullit nuk janë deklaruar në interesimin e gazetës për të marrë konfirmim zyrtar pwr masat e sigurisë nga Osmanit dhe familjes së saj.
Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, pas siç u tha kërcënimeve të grupeve terroriste nga Serbia, dy kryeopozitarët Memli Krasniqi i PDK’së e Lumir Abdixhiku i LDK’së janë marrë në mbrojtje nga Njësia për Mbrojtjen e Afërt të Policisë së Kosovës. Gazeta Online Reporteri.net pati raportuar ekskluzivisht për rritjen e sigurisë ndaj tyre, që më vonë ishte konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës dhe vetë kryeopozitarët./Telenews/