Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është e aftë të reagojë dhe të nxjerrë zjarr nga goja e saj, vetëm në rastet kur preket drejtpërdrejtë posti dhe interesi i saj personal.
Për gati katër vitet e mandatit të saj, ajo e ka dëshmuar se është e gatshme të hyjë në luftë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albi Kurtin, për të mbrojtur pozicionin e saj, shkruan Demokracia.com.
Por, gjatë këtyre viteve, presidentja Osmani nuk ka reaguar asnjëherë për të dëshmuar parimet e larta të cilat duhet ta udhëheqin në drejtimin e vendit, për të cilat flet shpesh kur bëhet fjalë për persona të tjerë, të cilët kanë nevojë për mbështetjen publike instituicionale.
Kështu ka ndodhur edhe me rastin e fundit, pas shpërthimit të skandalit me mënyrën e ndarjes së subvencioneve shtetërore nga dikasterët e Ministrisë së Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci, i cili bashkë me presidenten Osmani, në janarin e vitit 2021, kishin lënë LDK-në për të kaluar në listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas raportimeve, Ministria e Bujqësisë i ka dhënë subvencion në vlerë 100,000 euro vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit, vetëm 4 ditë pasi që kishte regjistruar biznesin e tij.
Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci, ia ka dhënë grantin vëllait të deputetes së pushtetit dhe ka refuzuar projektin e Grave të Krushës, që kishin aplikuar me Kooperativën Bujqësore “Krusha”, që drejtohet nga Fahrije Hoti.

